Serbia e Rusia angazhohen për forcimin e partneritetit strategjik midis tyre

Moskë, 15 tetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pritur në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grushko, i cili ka qëndruar në Beograd më 13 e 14 tetor, njoftoi Ministria e Jashtme e Rusisë.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit “është diskutuar për bashkëpunimin bilateral, me theks në forcimin e partneritetit strategjik ruso-serb, në kushtet e krizës globale në rritje”.

“Në fokus ka qenë puna e përbashkët për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan dhe për tejkalimin e pasojave të kursit konfrontues të Perëndimit”, thuhet në komunikatë.

“Palët kanë konfirmuar dëshirën e tyre të ndërsjellë për përmirësimin e bashkëpunimit në një spektër të gjerë fushash, për vazhdimin e dialogut intensiv politik dhe për komunikim midis dy ministrive të Jashtme”, thuhet në komunikatë, transmeton gazeta beogradase “Danas”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka njoftuar gjithashtu se zëvendësministri Grushko ka biseduar në Beograd edhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Nikolla Selakoviq e Aleksandar Vulin.

Aleksandar Grushko dhe disa përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë kanë marrë pjesë në koncertin “Zemra serbe – Serbisë sllave të plagosur”, i cili u mbajt të premten, në “Shtëpinë Ruse” në Beograd, siç thuhet, “në shenjë të vullnetit të popullit serb për të ndihmuar viktimat në Donbas” (Ukrainë).  

(r.m.)