WASHINGTON — Shtetet e BAshkuara të Amerikës tani kanë prova përfundimtare se regjimi i Presidentit të Sirisë, Bashar Assad ka përdorur armë kimike kunjdër forcave të opozitës.
Ky përfundim tregon se regjimi sirian ka shkelur atë që Presidenti Barack Obama e kishte deklaruar si “vija e kuqe” që do të sillte ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt.
Nuk dihet se çfarë do të ndodhë pas kësaj, por agjensia e lajmeve Associated Press ka mësuar nga dy zyrtarë të lartë amerikanë se SHBA po përgatit nisjen e menjëhershme të armatimeve dhe municioneve në ndihmë të kryengritësve sirianë për të përforcuar pozicionet e tyre.
Këtë lajm e ka konfirmuar edhe senatori John McCain, i cili ashtu si edhe në rastin e Kosovës dhe të Irakut ka qenë prej kohësh partizan i ndërhyrjes ushtarake në Siri. Së fundi, ai u takua edhe me ish-presidentin Bill Clinton. Ky i fundit pas takimit me senatorin e vjetër të partisë kundërshtare, pranoi se McCain kishte të drejtë që ishte i shqetësuar dhe kritikoi Presidentin Obama për qendrimin e largët që po mban ndaj Sirisë.
Armë janë dhënë edhe më parë për opozitën siriane, por ato kanë qenë më shumë të natyrës mbrojtëse dhe të vogla. Zhvillimet e fundit mund të shënojnë një përshkallëzim të jashtëzakonshëm në ndihmën që SHBA u jep armiqve të regjimit. Asad, një diktator mizor është aleat dhe satelit i Iranit në Lindjen e Mesme. Ai mbështetet edhe nga Rusia, e cila thuhet se po përgatit edhe ajo dërgimin e raketave anti-ajrore për të ndihmuar regjimin.
Presidenti Obama nuk dëshiron që të dërgojë trupa amerikane në Siri dhe ka këmbëngulur deri tani që zgjidhja të vijë duke u koordinuar me Rusinë për vendosjen e paqes dhe largimin e Asadit nga pushteti duke i hapur rrugë zgjedhjeve të lira.
Po këto nuk kanë dhënë rezultate. Deri tani siç ka bërë të ditur një raport i përgatitur nga OKB, më shumë se 93 mijë vetë janë vrarë nga luftimet tashmë dyvjeçare në Siri, shumë prej të cilëve civilë të pambrojtur. (Illyria)