Nju Jork, 18 tetor 2022 – Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, Robert A. Wood, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të shmangin tensionet për shkak të targave të automjeteve.
Në mbledhjen për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, z. Wood u bëri thirrje palëve të zbatojnë Udhërrëfyesin për Energjinë që është nënshkruar në kuadër të dialogut.
“Ne inkurajojmë fuqishëm Kosovën dhe Serbinë që të mbajë tensionet e ulta duke u fokusuar në progresin e dialogun dhe duke shmangur retorikën nxitëse. Ne u bëjmë thirrje palëve që të punojnë me partnerët amerikanë dhe evropianë në zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë dhe të shmangin tensionet për targat”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.
Ai kërkoi që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog, sikurse ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Përfaqësuesi i SHBA-së kërkoi sërish që Këshilli i Sigurimit të nisë procedurat për përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, duke përsëritur qëndrimin se ky mision ka përfunduar punën në Kosovë.
“Siç e kemi thënë shpesh në këtë dhomë, UNMIK-u e ka kryer misionin siç i ishte shkruar në mandatin fillestar. Ka pasur rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në të kaluarën, por Kosova, me ndihmën e partnerëve evropianë, i ka zhvilluar dhe përforcuar institucionet për të marrë vetë përsipër përgjegjësitë që më herët ishin nën juridiksion të UNMIK-ut”, tha ai.
Z. Wood kërkoi që raportimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mos bëhen çdo 6 muaj, siç është tani, por një here në vit.
(r.m.)