Sipas kryetarit të PD-së opozitare Sali Berisha, qeveria po mbledh certifikatat personale të shtetasve për të garantuar votat e sigurta.
Knid Ndrenika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në Tiranë se kryeministri Edi Rama është duke u përgatitur të vjedhë votat për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Zoti Berisha theksoi si ai ka informacione se qeveria e kryeministrit Rama ka filluar “vjedhjen” e votave.
Sipas ish-kryeministrit Berisha, qeveria po mbledh certifikatat personale të shtetasve për të garantuar votat e sigurta.
Kryetarëve të degëve të Tiranës së PD-së opozitare prej 2013, zoti Berisha u tha se “jemi përpara zgjedhjeve tashmë” dhe se “unë kam marrë informacion se po mbledhin që tani certifikatat”.
“Do ta paguash aq shtrenjtë nëse prek votën. Ne po votojmë vetë, por do u kthejmë shqiptarëve votën. Nëse ky armik, mendon të vjedhë votën, nuk e di se çfarë do ta presë të nesërmen”-tha kryetari Berisha.
Ai garantoi se PD do t’i japë “përgjigjen më ekzemplare që nuk mund ta imagjinojë”, referuar kryeminstrit dhe shtoi se “nuk jemi që mund të na marrë përpara, të na i marrë votat duke i blerë me karta identiteti apo me patronazhistë”.
“Nuk mund të ketë mëdyshje. Ne marrim pjesë padiskutim në zgjedhje. Nuk bojkotojmë. Do përgatisim strukturat tona, mbështetësit tanë, anëtarësinë tonë për të rikthyer votën tek shqiptarët. Ne do të shpërbëhemi si komb nëse nuk garantojmë votën”-tha zoti Berisha.