Ramadan Muçolli
Delegacionet e Beogradit e Prishtinës nuk arritën të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët lidhur me telekomunikacionin. Të enjten në Bruksel, kryeministrat Ivica Daçiq e Hashim Thaçi do të kenë një takim të përbashkët me shefen e diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton. Takimi mbahet një javë para Samitit të BE-së, ku duhet të merret një vendim lidhur me fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë. Dy deputetë të parlamentit gjerman kanë bërë thirrje që vendimi të kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjes së Beogradit me Prishtinën. Kuvendi i Kosovës do të votojë të enjten projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, pa planin e zbatimit të saj.
Bruksel, Prishtinë, Berlin, 17 qershor 2013 – Në Bruksel, të hënën pasdite, ka përfunduar pa kurrfarë rezultatesh edhe një raund i bisedimeve të delegacioneve të Beogradit e Prishtinës. Temë e bisedimeve që kanë zgjatur gati pesë orë ka qenë teklekomunikacioni dhe palët duket të kenë mbrojtur pozicione të papajtueshme midis tyre.
“Ka progres, por nuk ka marrëveshje”, u ka deklaruar gazetarëve kryesuesi i delegacionit serb, Rasim Lajiq, pas përfundimit të bisedimeve.
Sipas tij, palët nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me prefiksin e telefonisë së Kosovës dhe funksionimin e operatorëve serbë të telefonisë mobile në Kosovë.
Kryesuesja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se propozimi i Serbisë që, si anëtare e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), të kërkojë për Kosovën një prefiks ndërkombëtar, është i papranueshëm për palën kosovare.
“Serbia është pajtuar që Kosova ta ketë kodin e saj telefonik. Por, dallimet janë që Serbia kërkon që ajo të aplikojë pranë ITU-së për kodin dhe kjo është kundërshtuar nga ana jonë. Ne e kemi paraqitur edhe opsionin që, në qoftë se një shtet tjetër mund të aplikojë për një shtet tjetër, atëherë për ne këtë do ta bëjë Shqipëria”, ka shpjeguar ajo për Radion Evropa e Lirë.
Zonja Tahiri ka bërë të ditur se pala kosovare është pajtuar që kompanisë serbe të telekomunikacionit “Telekom Srbija” t’i japë licensë për telefoni fikse në vendbanimet me shumicë serbe.
Ajo ka bërë të ditur se bisedimet për zgjidhjen e çështjeve të energjitikës kanë dështuar tërësisht, për shkak se pala serbe ka kërkuar licencimin e një operatori të energjisë vetëm për komunitetin serb.
Ndërkohë, në Bruksel është njoftuar se shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, ka ftuar në një takim të përbashkët kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçin dhe Ivica Daçiqin. Kabineti i baroneshës Eshton ka bërë të ditur se takimi do të mbahet të enjten, më 20 qershor, dhe do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, të arritur më 2 prill.
“Ata do të diskutojnë për përparimin në zbatimin e Marrëveshjes së Prillit, bazuar në planin që dy palët e kanë miratuar muajin e kaluar”, thuhet në deklaratën e kabinetit të baroneshës Eshton.
Takimi i radhës i kryeministrave Thaçi e Daçiq zhvillohet një javë para Samitit të BE-së, që do të mbahet më 27 e 28 qershor, ku do të duhej të merrej një vendim lidhur me fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Disa prej kushteve kryesore që i janë vënë Serbisë për fillimin e negociatave kanë të bëjnë pikërisht me zbatimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq, e cila po ngec.
Autoritetet e Serbisë përpiqen t’ua mbushin mendjen evropianëve se tashmë i kanë përmbushur kriteret për anëtarësim në BE, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por në Evropë ka ende dyshime se Serbia do të realizojë premtimet e saj. Më skeptikë janë gjermanët, të cilët kanë përsëritur shumë herë se Serbia nuk mund të bëhet pjesë e Evropës derisa nuk i zgjidh të gjitha mosmarrëveshjet me fqinjët.
Michael Brand, deputet i CDU-së, gjatë një debati lidhur me vazhdimin e mandatit të trupave gjermane në Kosovë, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të mos mashtrohet nga premtimet e Serbisë.
“Rikujtoni dhënien e statusit të kandidatit të BE-së për Serbinë, në pranverën e vitit 2012. Pak kohë më vonë, së bashku me Kryetaren e Komisionit të Mbrojtjes, zonjën Kastner, kemi qenë në “Portën 1”, në veri të Kosovës, në afërsi të Mitrovicës. Ushtarët na tregonin se si kishin rrjedhë ngjarjet. Serbët kishin vendosur barrikada në pjesën veriore të Mitrovicës. Atëherë BE-ja i kishte bërë thirrje Beogradit që të tregohej i gatshëm për negociata. Pas kësaj barrikadat ishin hequr nga rrugët dhe Serbisë i ishte dhënë statusi i kandidatit. Por, barrikadat u vendosën përsëri”, ka thënë Brand.
“Më lejoni të them se premtimet nuk mjaftojnë. Prandaj, të gjithë duhet ta shfrytëzojmë kohën. Duam të shohim se sa seriozisht e kanë palët”, ka theksuar ai.
Po kaq skeptik për realizimin e premtimeve të Beogradit është shprehur edhe Peter Beyer, edhe ky deputet i CDU-së. Ai ka bërë thirrje që vendimi për fillimin e negociatave Serbi-BE të kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjes nga ana e Beogradit.
”Një datë konkrete për fillimin e bisedimeve mund të caktohet vetëm atëherë kur në mënyrë të dëshmuar, të plotë dhe esenciale të jenë përmbushur të gjitha detyrimet e dala nga marrëveshja e datës 26 maj. Së pari, këtu hyn shpërbërja e plotë e strukturave paralele ilegale, sidomos në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, në veri të Kosovës, dhe ndërtimi i strukturave të reja, nën udhëheqjen kosovare, në vend të tyre. Së dyti, formimi i bashkësisë së komunave të serbëve në Kosovë dhe, së treti, mbajtja e zgjedhjeve komunale të lira dhe të drejta në gjithë Kosovën”, ka theksuar deputeti Beyer.
Ndërkaq, serbët e Kosovës, sidomos ata që jetojnë në jug të lumit Ibër, kanë frikë se ata po shpërfillen nga Beogradi pikërisht për shkak të aspiratës për anëtarësim në BE. Në një debat me temën “Si e përjetojnë Marrëveshjen e Brukselit serbët në jug të Ibrit?”, të zhvilluar në Çagllavicë, në afërsi të Prishtinës, shumica e pjesëmarrësve kanë shprehur frikën se askush nuk është marrë me pozitën e serbëve në jug të lumit Ibër. Bojan Teofiloviq nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë, ka thënë se as Beogradi, as Prishtina dhe as Brukseli nuk e kanë dashur ndihmën e qytetarëve serbë.
Vladeta Kostiq, zyrtar i lartë i Qeverisë së Serbisë që ka marrë pjesë në një raund të bisedimeve midis Bogradit dhe Prishtinës, ka thënë se marrëveshja nuk është ideale, por është “maksimumi që ka mundur të nxjerrë delegacioni i Serbisë”. Ai është përpjekur t’i qetësojë serbët se Beogradi do të vazhdojë përkujdesjen ndaj tyre, kudo qofshin asts, dhe garancë për këtë e ka cilësuar asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është instrumenti më i mirë i veprimit institucional dhe sendërtimit të të drejtave të serbëve në Kosovë, sipas ligjeve të Kosovës, por përmes Ligjit Kushtetues të Serbisë”, ka thënë Kostiq.
Ky zyrtar i Beogradit e ka akuzuar Prishtinën për zhagitjen e procesit për zbatimin e marrëveshjes, duke e përdorur si argument shtyrjen e votimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës.
Po ndërkohë, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka vendosur që ky projektligj të dërgohet për miratim në kuvend. Por, komisioni nuk e ka miratuar kërkesën që bashkë me projekligjin të miratohet edhe plani i zbatimit të marrëveshjes.