Gazmend Çaçi dhe Gjergj Ruli nderohen me çmimin “Urdhri Olimpik”

Tiranë, 31 tetor 2022 – Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) ka ndarë të shtunën titullin “Urdhri Olimpik”.

Ky vlerësim iu nda dy kampionëve të mëdhenj të sportit shqiptar, ish-basketbollistit Gazmend Çaçi dhe ish-atletit Gjergj Ruli.

“Kur të vjen vlerësimi nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që është maja më e lartë e sportit në vend, do të thotë që kemi arritur kulmin. Më vjen mirë për këtë trofe dhe falënderoj të gjithë ata që më vlerësuan dhe një herë për çfarë kam dhënë në basketbollin shqiptar”, tha Çaçi, pas pranimit të çmimit nga sekretari i KOKSH-it, Gerti Shima, një tjetër emër i madh i sportit në Shqipëri.

Edhe ish-rekordmeni i kërcimit, Gjergj Ruli, tha se është i nderuar me këtë vlerësimin.

“Jam shumë i emocionuar, sepse kam 50 vjet që merrem me atletikë. U jam shumë falënderues presidentit Ylli dhe Komitetit Drejtues për këtë trofe që më bën të punoj dhe më shumë e të vazhdoj atletikën, që është jeta ime”, tha ndër të tjera Ruli.

Atij ia dorëzoi çmimin kampionia e Europës, atletja Luiza Gega.

(Panorama.al)