Monodrama “Unë Jam Adem Jashari” u shfaq në New York

Shfaqja e interpretuar nga Pajazit Murtishit, me regji të Xhevat Limanit, sipas tekstit të Lebit Murtishit, mblodhi rreth 300 spektatorë në teatrin Kolegjit Fordham

 

Nga Beqir Sina

BRONX, NY: Shfaqja “Unë Jam Adem Jashari” e cila u shfaq mbi 26 herë në trojet Shqiptare, gjatë vitit 2012 arriti të dielën në mbrëmje edhe në New York. Ajo ka marrë pjesë më parë, në Festivalin Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe në Teatrin Kombëtar, Tiranë, Fier, Elbasan, Korçë, Strugë, Dibër, Kërçovë, Tetovë, Shkup, Ferizaj, Kaçanik, Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Skënderaj, Dollogozhdë, etj.
Në rrugëtimin e tij – aktori shqiptar nga Çikago, Pajazit Murtishi solli me vetë edhe një film të metrazhit të shkurtër, realizuar prej djalit të tij, film ky që kishte vlera artistike, por asnjë lidhje me monodramën e Adem Jasharit.
Monodrama “Unë Jam Adem Jashari” u shfaq në teatrin e kolegjit Fordham në Bronx, New York, e interpretuar nga Pajazit Murtishit, me regji të Xhevat Limanit, sipas tekstit të Lebit Murtishit. Muzika ishte e Jeton Murtishit, ndërsa koreografia e Artan Laçkës. Rreth 300 spektatorë morën pjesë përfshi edhe artistët e njohur si aktorja Pavlina Mani, shkrimtari dhe regjizori Pëllumb Kulla, aktori Pandi Siku etj.
Drama i kushtohej Heroit Legjendar të Kosovës, Adem Jasharit dhe 23 anëtarët e familjes së tij të zhdukur nga makina vrastare e Serbisë, gjatë luftës për liri e pavarësi. Ajo përçoi tek audienca emocione të papërshkruara. Ishin 45 minuta interpretimi nga Murtishi me plot përjetime e retrospektiva të hidhura, por edhe përshkoi krisma, dhunime, rrënime e djegie, deri në fitoren përfundimtare, në pjesën finale të monodramës.
Natyra e rolit, skenografisë, dhe e vetë figurës së portretizuar dolën edhe kësaj radhe të jenë epike, njësoj sikundër që edhe vetë emri i kryeprotagonistit të shfaqjes, e cila tashmë me plot gojën ndër shqiptarët, dihet se është kthyer jo vetëm në një ikonë historike, por tani edhe në një ikonë skenike. Atë e kanë pasur si subjekt, shumë libra, këngë, pjesë teatrale dhe pjesë të dokumentarëve artistike, filmave të metarzheve të ndryshme video clipeve, janë vënë në skenat shqiptare në viset shqiptare dhe në diasporë.
Moderatori i shfaqjes Pandi Siku, një aktor shqiptar i cili jeton në shtetin Illinois, tha se të ardhurat nga shfaqja do të dërgohen në Kosovë, për fëmijët e dëshmorëve.
Mbas interpretimit aktorin Pajazit Murtishi, e përshëndetën me fjalë mjaft të ngrohta dhe duke vlerësuar edhe ish-kongresisti republikan i New Yorkut, Joe DioGuardi, veprimtari i shquar Harry Bajraktari, zoti Pëllumb Kulla dhe znj. Pavlina Mani.
Në emër të Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në SHBA, ambasadorit Bekim Sejdiu (i cili ndodhej në Kosovë) aktorin Murtishi e përshëndeti konsulli Fatmir Zajmi.
Aktori Pajazit Murtishi i cili la 40 vjet që jeton në Amerikë, në fund tha: “Janë gati tre vjet që punojmë me regjizorin Xhevat Limani dhe djalin tim Lebit Murtishin, derisa erdhëm që këtë vepër ta ngrejmë në nivelin e duhur dhe shfaqur në të gjitha trojet shqiptare – deri në vendlindjen e Jasharëve në Drenicë, ashtu si i takon kësaj figure të rëndësishme të historisë shqiptare, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Unë u mundova që të gjej forcë, çdo mundësi të asaj që disponoj për të arritur që sot këtu për herë të parë në New York, në Lovinger Theater në Fordham College, të vi jo për konkurim, por që të ardhurat nga shfaqja të dërgohen në Kosovë për fëmijët e dëshmorëve. Dhe që spektatorit shqiptar, natyrishtë, t’i ofroj edhe kënaqësinë artistike duke e ndërlidhur edhe figurën madhore të Adem Jasharit edhe para jush – publikut të mrekullueshëm shqiptar të New York-ut – Shumë faleminderit”.
Aktor: Pajazit Murtishi
Autor: Lebit Murtishi
Regjia: Xhevat Limani
Muzika e Kompozuar nga: Jeton Murtishi

Producent: Albatone Productions & Teatri Shqiptar Ne Amerike
Vokalet: Burim Haxhiu & Genta Xhaferri
Kostumet: Enkel Dika
Skenografia: Kristaq Kapedani
Koreograf: Altin Naska
Konsulent: Pandi Siku
Konsulent: Ilir Borova
Video Production: Albatone Productions LLC