Promovohet libri i Dom Lush Gjergjit për Nënë Terezën i përkthyer në gjermanisht

Filantropi i njohur Lazim Destani ka marrë pjesë në promovimin e librit MUTTER TERESA GANZ NACH me autor Dom Lush Gjergji, i cili u mbajt nën organizimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. 

Kjo ngjarje kulturore u mbajt në hapësirat e Wirtschaftklub-it në Dyzeldorf.

Në ceremoninë promovuese të këtij libri me vlerë që i ofrohet lexuesit gjerman morën pjesë shumë krijues dhe artistë nga mbarë Gjermania.

Me interpretimet e tyre të shkëlqyera bukuri të veçantë i dhanë kësaj ngjarje instrumentistet Migena Begolli dhe Memela Alija si dhe soprano Dorina Porodini.

Në shërbim të jetës, dashurisë dhe paqes  

Të nxitur nga Nënë Tereza për vepra dashurie – bamirësie”  

(30-vjetori i themelimit të MKSH në Lucern; 25-vjetori i vdekjes së Nënës Tereze)  

Para 32 vitesh, në Pranverën e Madhe Shqiptare në Kosovë (1990), kanë ndodhur disa ngjarje tejet të rëndësishme, mendoj historike, së paku për kohën dhe për hapësirat tona. Tash në mënyrë retrospektive mund t’i kuptojmë dhe vlerësojmë më mirë dhe më saktë.  

Pajtimi i gjaqeve, apo lufta kundër gjak- apo hak-marrjes, e cila s’ishte tjetër përpos vetëvrasjes, vëllavrasjes dhe së fundi edhe vrasjes, “drejtësi” arbitrare, tejet e egër dhe jonjerëzore, si pasojë e së kaluarës së rëndë nën sundimin e të tjerëve, mungesës së drejtësisë dhe shtetësisë, lirisht mund të themi edhe “kanceri” i shoqërisë shqiptare, në krye me Prof. Anton Çettën dhe bashkëpunëtorët e shumtë, mbi të gjitha rininë tone.  

Themelimi i Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, për ballafaqim me largime masovike prej punës, varfëri dhe diskriminim ndaj të gjithë atyre që nuk u gjunjëzuan para përndjekjeve dhe diktaturës së Serbisë, e cila kishte për qëllim largimin e shqiptarëve nga trojet tona, deri edhe përgjysmimin dhe shfarosjen, si dhe dorëzimin dhe manipulimin nëpërmjet papunësisë dhe varfërisë së skajshme. Janë themeluar në Kosovë 44 degë dhe 636 nëndegë, si dhe formimi i degëve gati në të gjitha shtetet e Evropës, në veçanti në Zvicër. Kemi pasur 7200 vullnetarë për grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave; 58 donatorë ndërkombëtar. Gjatë Luftës mars–qershor 1999 janë ndihmuar  mbi 900.000 persona. Shpirt dhe zemër e kësaj lëvizjeje bamirëse  pothuaj unike ishte prof. Jak Mita dhe bashkëpunëtorët. [i]  

Krijimi i sistemit paralel shkollor i quajtur “Motrat Qiriazi”, si luftë kundër analfabetizmit, që kishte për qëllim fisnik ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe shkollës shqip, si parakusht për identitetin dhe personalitetin tonë.  

Krijimi i sistemit paralel në shëndetësi, për ta mbrojtun jetën njerëzore në çdo kusht dhe rrethanë me shërbime shëndetësore falas, me kujdes, përkushtim dhe dashuri vëllazërore, në krye me të ndjerin Dr. Gani Demollin dhe bashkëpunëtorët e tij.  

Në këto lëvizje madhështore protagonist ishte POPULLI SHQIPTAR NË KOSOVË, por edhe mërgata jonë, sidomos ju në Zvicër,  që me mençuri, urti dhe dashuri tejkalonte çdo kufizim, paragjykim, rrezikim, me takime, afrime dhe bashkime shembullore për t’i dëshmuar vlerat dhe virtytet e lashta dhe aktuale. Vëllazërisht dhe bashkërisht i përballuam të gjitha: skamjen, dhunën, heqjen e autonomisë së Kosovës, rrahjet, burgimet, vrasjet, dhe ia dolëm jo vetëm të mbijetojmë, por të përforcohemi dhe të bashkohemi pa kurrfarë dallimi, si një trup i vetëm me shumë gjymtyrë. Kështu u krijua ndjenja e përkatësisë së përbashkët, ndjenja e bamirësisisë dhe solidaritetit, duke vërtetuar thënien e moçme shqiptare: “Nëse dëshiron t’i ndihmosh vetvetes, atëherë ndihmoju të tjerëve, sepse kështu do të ndihmojë Zoti dhe të tjerët”.  

Ndodhi mrekullia e bashkimit dhe bashkëpunimit: u falen 1275 gjaqe botërisht vetëm deri më 1 maj 1990, duke mposhtur urrejtjen, përçarjet, vrasjet me ndërrimin rrënjësor të botëkuptimit dhe të veprimit. Armiqësia u shndërrua në miqësi, vdekja në jetë, urrejtja në falje, miqësi dhe në dashuri.  

Popullata ishte pa punë, pa ligj dhe mbrojtje, pa asgjë, e anësuar, e përbuzur dhe e përjashtuar prej sistemit politik dhe shoqëror. Atëherë gjetëm fuqi dhe mënyrë për t’iu kthye vetvetes dhe të vërtetës duke kuptuar se të gjithë gjendemi para sfidave vendimtare, ose do të jetë mirë për të gjithë ose për askënd.  

Nëpërmjet SHHB “Nëna Tereze” e gjetëm damarin e bujarisë dhe të bamirësisë shekullore ilire, arbërore dhe shqiptare, e mishëruam Nënën tonë Tereze në mendje dhe në zemër të çdo njeriut me përbetimin tonë fisnik dhe profetik: “As të fikur as te koritur!”.  

Dhe kështu garuam për ta kuptuar, përkrahur ndihmuar, dhe dashur njëri-tjetrin deri te flijimi dhe dhurimi i skajshëm për shpëtim, liri dhe demokraci.

Jetuam dhe mbijetuam çdo gjë, duke iu falënderuar Provanisë Hyjnore, bamirësisë vëllazërore gjithshqiptare dhe ndërkombëtare, siç thonte i ndjeri Imzot Nikë Prela, sepse “provuam çdo gjë përpos varrit.”  

Kjo vetëdije, kjo histori, ky aktualitet na ka mbajtur gjithnjë të bashkuar dhe të vëllazëruar për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.  

Manifestimi dhe kremtimi i sotshëm në Misionin Katolik Shqiptar në Lucern është vetëm një përkujtim i thjeshtë, në stilin e Nënës Tereze, i zbehtë dhe gjithëpërfshirës i asaj që ndodhi ndër ne dhe me ne, mrekullia e urtisë, frymëzimi i dashurisë dhe vëllazërisë, bashkëpunimit dhe guximit në të mirë dhe në dobi të të gjithëve.  

Bamirësia s’ka nevojë për lavdi, për reklamë, për mirënjohje, për falënderime, sepse ajo lind nga zemra dhe iu dhurohet zemrave, atyre që ishin dhe janë ende të kërcënuar dhe të rrezikuar. Bamirësia, nderimi dhe dashuria është BORXHI më i madh jetësor për çdo njeri, të cilin është tejet vështirë ta lajmë në këtë jetë dhe botë.  

Bëmë atë çka ditëm dhe mundem. Këtë le ta vlerësojë Zoti dhe populli. Për ne vlen motoja latine: “SERVIRE EST REGNARE” – të shërbesh domethënë të mbretërosh. Ne patëm këtë privilegj që të jemi afër popullit të kërcënuar dhe të rrezikuar, dhe ndamë me të jo vetëm kafshatën e gojës, por çdo gjë, veçmas dhembjen dhe pikëllimin e zemrës. E kur jemi së bashku në të vështira, kjo na përgatit që të jemi të tillë edhe në të mira.  

Diktaturës ditëm t’i përgjigjemi me strategjinë paqësore jodhunore gandiane, edhe më mirë të themi tereziane,  në krye me Presidentin historik dhe të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, me solidaritet të pashoq në bamirësi, me pajtimet e gjaqeve, me krijimin e sistemeve paralele shkollore dhe shëndetësore, kur qe nevoja edhe me luftën tonë të lavdishme të UÇK-së.  

Tani prapë, si gjithmonë, na duhet ndihma e Zotit, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha bashkimi dhe vëllazërimi ynë, për sfidat dhe sprovat e reja tejet të rëndësishme, për krijimin dhe kultivimin e kulturës së jetës dhe qytetërimin e dashurisë.  

Me Nënën Tereze e kemi gjetur letërnjoftimin apo pasaportën tonë për ne dhe për botën. Rruga drejt lirisë së plotë dhe pavarësisë kërkon prej nesh gjithnjë flijim dhe dhurim, punë dhe përgjegjësi, bashkërenditje dhe bashkëpunim, së pari mes nesh, pastaj edhe me të tjerët.  

Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët tanë, e të tillë ishim pothuaj të gjithë, ne mënyra dhe rrethana të ndryshme, sepse kështu e kemi dhënë “pjesën më të mirë të vetvetes”, siç thotë Nënsa Tereze, me veprimtari dhe krijimtari mirësie dhe bamirësie, duke “lavruar” ndërgjegjet tona me djersë, mund, lotë dhe gjak, duke mbjellur farën e të mirës, të drejtës, të vërtetës të jetës, të paqes  dhe të dashurisë.  

Ky “investim” në njeriun dhe për njeriun kurrë s’mund të jetë i kotë, gjithmonë jep fryte, sepse dashuria dhe vëllazëria është pema e çdo stine, moshe, gjinie, për të cilën të gjithë kemi nevojë. “Dashuria është përgjigjja më e mirë e jetës”, thotë Erich Frommi.  

Le t’na përcjellë nga qielli Shën Nëna jonë Tereze, që edhe ne gjurmave të saja të shkojmë, atë ta duam dhe ta nderojmë, vetveten mos ta njollosim dhe robërojmë, por ta përparojmë dhe shpëtojmë me vepra mirësie, flijimi, dhurimi dhe dashurie.  

Dashuria nuk bën mrekulli, ajo është gjithnjë mrekulli, këtë e kemi sprovuar dhe dëshmuar të gjithë ne.  

Porositë përmbledhëse të Nënës Tereze për ne janë: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”; “Vepra të vogla me dashuri të madhe”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.  

Pjesëmarrës të dashur dhe të nderuar, vëllezër dhe motra, me SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”,  ne iu përgjgjëm sfidave të kohës së errët dhe shumë të rrezikshme, gejtëm Dritën dhe frymëzimin tonë për vepra mirësie dhe dashurie:  

  • sepse ne shqiptarët kishim të drejtë vetëm në heshtje, në vuajtje, në nënshtri dhe shkatërrim;  
  • Ajo ishte dhe është frymëzimi dhe përcaktimi ynë largpamës dhe profetik nëpërmjet veprës dhe jetës së Nënës Tereze edhe  ne e gjetëm rrugën e shpëtimit me bamirësi, bujari dhe solidaritetit;  
  • “Dëshiroj që dashnin në vepër ta kallxoni për njeriun nevojtar.” Me këto fjalë, shkrimin dhe nënshkrimin e saj, ajo në një mënyrë na dha pëlqimin të jetojmë dhe të veprojmë në stilin e saj.  
  • “As të fikur, as të koritur” ishtë përbetimi ynë, që mendoj, falë Zotit, Popullit tonë, miqve dhe bamirësve ndërkombëtar, plotësish ia kemi arritur.  
  • Pa Pranverën e madhe dhe të bekuar 1990: Pajtimet e Gjaqeve, SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”, sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor, parakushte për strategjinë tonë paqësore jodhunore, gandiane – tereziane, në krye me Presidentin tonë historik, Dr. Ibrahim Rugovën, si dhe luftën e lavdishme të UÇK-së,  ne ende do të ishin në terr, në robëri dhe në skllavëri.  
  • Tash, si atëherë, ndoshta edhe më tepër, na duhen ide, ideale, vlera dhe virtyte, për t’u frymëzuar dhe motivuar për sfida dhe rrethana të reja. Shën Nënën Tereze, për botën mbarë, veçmas për ne Shqiptarët, është koha që ta njohim, pranojmë, ta duam, ta mishërojmë, përvetësojmë – imitojmë, mbi të gjitha t’i lutemi saj, për të na mbrojtur prej “diktatorëve” modern: materializmit, hedonizmit, konsumizmit, relativizmit dhe ateizmit praktik…  
  • Nëpërmjet Misioneve Katolike Shqiptare në Zvicër, por edhe gjetiu në Evropë dhe SHBA-a, Kanadë, ne ofrojmë dhe mundësojmë ruajtjen e fesë, ngjalljen e shpresës, mbi të gjitha ndezjen e dashurisë, në stilin e Nënës, Tereze, për Zotin – Dashuri si dhe Vëllain apo Motrën – Njeri.  
  • Shkallët e vlerave dhe virtyteteve të Shën Nënës Tereze tashmë janë të njohura: Çdo njeri është njeri- si unë dhe si ti; Çdo njeri është Vëlla apo motër, si unë dhe ti; Çdo njeri është vetë Jezusi, si jam unë dhe si je ti.  

Nëse i njohim, i pranojmë, zbatojmë dhe dëshmojmë këto tri shkallë: Njeri-Vëlla apo Motër, vetë Jezusi, atëherë vërtet ne jemi bij dhe bija shpirtërore të Shën Nënës Tereze.  

Urime dhe përgëzime vëllazërore për 30 – vjetorin e Misionit tonë në Lucern!  

Lucern, 22 tetor 2022                                                      Don Lush GJERGJI  


1 Degët e Shoqatës “ Nëna Tereze” Zvicër janë themeluar gjatë vitit 1990, në 13 qytete – qendra të njohura dhe të rëndësishme.  

Pas përfundimit të Luftës në Kosovë  me vendim të SHHBK “ Nëna Tereze”  në Prishtinë, shuhen të gjitha degët në Zvicër, me qëllim të riorganizimit të ri konform legjislacionit shtetror të këtij shteti. Kështu që nga viti 2000 e këndej është themeluar Shoqata “ Nëna Tereze” me qendër në Litau-Lucern, me logo të re,  me organe të saja të reja e regjistruar në regjistrin e tregtisë së shtetit  të Zvicrës.