Koreja Veriore dhe Koreja Jugore lëshojnë raketa afër brigjeve të njëra-tjetrës

Seul, 2 nëntor 2022 – Koreja Veriore dhe Koreja Jugore kanë lëshuar për herë të parë raketa në ujërat afër brigjeve të njëra-tjetrës.

Seuli ka vepruar kështu në shenjë hakmarrjeje, tri orë pasi Pheniani ka nisur një raketë që ka rënë më pak se 60 kilometra larg qytetit jugkorean, Sokço.

Ushtria e Koresë Jugore ka thënë se vendimi për lëshim të raketës nga verikoreanët përbëjnë shkelje “të papranueshme” të territorit.

Jugkoreanët më pas kanë lëshuar raketa tokë-ajër, dhe sipas zyrtarëve ato kanë rënë në një distancë të ngjashme në të ashtuquajturën Linjë të Kufirit Verior.

Kjo linjë demarkon kufirin ujor në mes të Koresë Veriore dhe asaj Jugore, ndonëse verikoreanët nuk e kanë pranuar kurrë këtë ndarje.

Të martën, Koreja Veriore ka paralajmëruar që Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara do të paguajnë “çmimin më të tmerrshëm në histori” nëse vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake.

Stërvitjet aktuale ushtarake – që kanë nisur të hënën dhe përfundojnë të premten – përfshijnë qindra aeroplanë që simulojnë përgjigje 24-orëshe ndaj sulmeve.

Në fillim të muajit tetor, Uashingtoni ka dërguar afër Gadishullit Korean një aeroplanmbajtës me kapacitet bërthamor, hap që është konsideruar si paralajmërim për Korenë Veriore.

Testimet hakmarrëse të raketave kundër njëra-tjetrës po bëhen në kohën kur Koreja Jugore është duke u përballur me tragjedinë e shtypjes së një turme në Seul gjatë fundjavës.

Si pasojë e këtij incidenti kanë vdekur 150 persona.

Sipas ligjit ndërkombëtar, shtetet mund të kenë pretendime territoriale ujore vetëm për 12 kilometra që janë në afërsi me tokën e tyre.

Testimet raketore shënojnë përshkallëzim të armiqësive në Gadishullin Korean këtë vit.

Deri më tani në këtë territor janë testuar mbi 50 raketa nga verikoreanët, duke përfshirë një raketë balistike që ka kaluar nëpër territorin e Japonisë.

Inteligjenca amerikane dhe ajo jugkoreane kanë thënë se Koreja Veriore është duke u përgatitur për të testuar armën bërthamore, pas një pushimi pesëvjeçar.

Këtë vit, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.

Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.

Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.

Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes.

(REL)