Prishtinë, 2 nëntor 2022 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet D.A. për krime lufte kundër popullatës civile.
Prokuroria ka njoftuar se personi dyshohet se me pjesëtarë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, gjatë luftës ka marrë pjesë në dëbimin e shqiptarëve, plaçkitjen e shtëpive dhe dëmtimin e pronave.
“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.A., në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të Policisë serbe dhe grupeve paramilitare, të përbërë nga shumica të nacionalitetit serb, në periudhën e luftës në Kosovë, konkretisht prej muajit janar – qershor të vitit 1999, fillimisht ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve i’a kanë vënë zjarrin”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, i njëjti me grupet e lartcekura ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë dhe në vrasje.
“Po ashtu, kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kanë plagosur dhe vrarë, e në mes të këtyre viktimave, ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.Sh., veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”.
I vrari ka qenë një 15 vjeçar, i cili fillimisht është maltretuar.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D. A, me datë 20.04.1999, në fshatin Butovc, Komuna e Prishtinës, më saktësisht në vendin e quajtur “varrezat Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i mitur, i moshës pesëmbëdhjetë (15) vjeçare, ashtu që pasi i dëmtuari është ndaluar nga i pandehuri D.A. dhe paramilitarët tjerë serb, të njëjtit vazhdojnë ta malltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, si në aspekt fizik e po ashtu edhe në atë psiqik, ashtu që më pas shkrepet arma automatike, si pasojë e së cilës e sheh të rrëzuar në tokë një person, që më vonë e kupton se bëhet fjalë për të ndjerin B.Sh., nga fshati Trudë”.
Me këto veprime i pandehuri D.A. akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
(r.m.)