𝐊𝐮 𝐩𝐨 𝐞 𝐭𝐡𝐲𝐞𝐧 𝐪𝐚𝐟𝐞̈𝐧 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈?

Agron SHALA

“𝘌 𝘷𝘦̈𝘳𝘵𝘦𝘵𝘢 𝘦̈𝘴𝘩𝘵𝘦̈ 𝘴𝘪 𝘱𝘶𝘯𝘢 𝘦 𝘢𝘴𝘢𝘫 𝘬𝘶𝘳𝘷𝘦̈𝘴 𝘮𝘦 𝘯𝘢𝘮 𝘯𝘦̈ 𝘨𝘫𝘪𝘵𝘩𝘦̈ 𝘲𝘺𝘵𝘦𝘵𝘪𝘯. 𝘛𝘦̈ 𝘨𝘫𝘪𝘵𝘩𝘦̈ 𝘦 𝘯𝘫𝘰𝘩𝘪𝘯 𝘮𝘪𝘳𝘦̈, 𝘱𝘰𝘳 𝘢𝘴𝘬𝘶𝘫𝘵 𝘯𝘶𝘬 𝘪 𝘱𝘦̈𝘭𝘲𝘦𝘯 𝘵𝘢 𝘴𝘩𝘰𝘩𝘪𝘯 𝘮𝘦 𝘵𝘦̈ 𝘯𝘦̈ 𝘳𝘳𝘶𝘨𝘦̈. 𝘈𝘫𝘰 𝘦̈𝘴𝘩𝘵𝘦̈ 𝘦 𝘮𝘪𝘳𝘦̈ 𝘱𝘦̈𝘳 𝘯𝘢𝘵𝘦̈𝘯 𝘯𝘦̈ 𝘧𝘴𝘩𝘦𝘩𝘵𝘦̈𝘴𝘪, 𝘬𝘶𝘳𝘴𝘦 𝘥𝘪𝘵𝘦̈𝘯 𝘬𝘶𝘳𝘷𝘢 𝘥𝘩𝘦 𝘦 𝘷𝘦̈𝘳𝘵𝘦𝘵𝘢 𝘫𝘢𝘯𝘦̈ 𝘵𝘦̈ 𝘴𝘩𝘦̈𝘮𝘵𝘶𝘢𝘳𝘢, 𝘵𝘦̈ 𝘷𝘳𝘢𝘻𝘩𝘥𝘢, 𝘵𝘦̈ 𝘶𝘳𝘳𝘺𝘦𝘳𝘢. 𝘋𝘩𝘦, 𝘴𝘩𝘶𝘮𝘦̈𝘬𝘶𝘫𝘵 𝘱𝘦̈𝘳 𝘵𝘦̈𝘳𝘦̈ 𝘫𝘦𝘵𝘦̈𝘯 𝘯𝘶𝘬 𝘢𝘳𝘳𝘪𝘯 𝘵`𝘪𝘢 𝘵𝘳𝘦𝘴 𝘮𝘪𝘥𝘦𝘫𝘢” (𝘞𝘰𝘭𝘧𝘨𝘢𝘯𝘨 𝘉𝘰𝘳𝘤𝘩𝘦𝘳𝘵)

 

Shkrimtarja Abi Morgan (1968), katër vjet më parë e ka shkruar dramën “Splendour” që flet për katër gra, njëra nga të cilat është gruaja e një diktatori. Ajo braktiset nga burri, ndërsa vendi është në prag të revolucionit të përgjakshëm. Gruaja e diktatorit e kupton se po e jeton natën e fundit të jetës. Për këtë shfaqje autorja ka tërhequr paralele me regjimin e Nikolai Çausheskut, sepse nuk e kuptonte se si është e mundur që pak njerëz të kenë shumë pushtet. Ndërkaq, kur i lexon raportet për ekzekutimin e çiftit Çaushesku, informohet se më shumë plumba janë shtënë në gruan e Nikolait – Elenën. Mësimi që ka marrë ishte ky: populli ndien zemërim ndaj diktatorëve, por edhe më shumë ndaj grave që qëndrojnë në prapavijë.

Ky rrëfim më shtyri të mendoj për rastin tronditës të rrahjes së një gruaje të moshuar në një shtëpi të pleqve në Pejë. Një infermiere e merr pushtetin në duar. Si Nikolai, si çdo diktator në botë. Me sadizëm, pa empati. Dhe infermieret tjera qëndrojnë në prapavijë. Si Elena. Dhe qeshin. Ato janë fajtore si ajo që jepte goditje.

Secili është fajtor kur nuk reagon ndaj të keqes, sepse edhe indiferenca është krim.

Mezi durova ta shoh videon deri në fund. Qava, sepse tek ajo grua e moshuar e pashë nënën time. Qava, sepse ajo grua ishte me sëmundje të Alzheimerit. Dhe, prapë m’u kujtua nëna. Në ditët e fundit të jetës së saj, nëna vuante nga harresa. Shpeshherë villte me shumë dhembje. Dhe, pas gjysmë ore harronte nëpër çfarë kishte kaluar. I rrija pranë dhe i thosha: mama, shyqyr që nuk e di se sa po vuan. Por, mua kurrë nuk më harronte. Më shikonte dhe më thoshte: pse po qan djali jem!

Nëna e moshuar e rrahur dhe e tallur nga infermieret mund ta ketë Alzheimerin, por nuk besoj se e ka harruar ndonjëherë djalin e vet dëshmor. Ajo grua mund ta ketë harruar përbuzjen dhe dhimbjen që ia shkaktuan infermieret të cilat do të duhej të kujdeseshin për të – ato që paguhen falë saj dhe falë të moshuarve tjerë (për të cilët familjarët dhanë 650 euro në muaj) – por ne nuk duhet ta harrojmë atë dhembje. Siç nuk mund ta harroj ende dhembjen e nënës sime.

Ajo video dhe ajo ngjarje e poshtër më shtyri të pyes për çfarë vdiqën njerëzit në luftën e fundit? Për çfarë vdiq djali i saj: për liri apo për ta nxjerrë në pah paturpësinë dhe të keqen tonë? Për çfarë vuajti tërë shoqëria? Për ta zëvendësuar mizorinë e tjetrit me mizorinë tonë? Për të torturuar për pikë të qejfit një të moshuar, sepse mundesh, sepse ke pushtet dhe forcë, sepse ke imunitet nga administrata e asaj shtëpie?

Ajo infermiere sadiste dhe koleget e saj që qeshin me dhembjen dhe me lotët e një të moshuare nuk janë rast i izoluar. Janë pjesë e një hallke të së mbrapshtës që e ka kapluar shoqërinë e Kosovës. Janë pasqyrë e dhunës dhe mospërfilljes së përditshme ndaj tjetrit. Ajo shtëpi është Kosova përplot me rrugaçë pa empati. E, Zef Pllumi (1924-2007), kur po i shikonte turmat që çirreshin, shanin, pështynin dhe kërcënonin tre priftërinj intelektualë të arrestuar në vitin 1946, po e pyeste veten: “Si asht e mundun, që nji popull kaq i vogël të ketë kaq shumë rrugaça?”.

Përgjegjësia në këto rrethana të këqija futet në kategorinë e fajit metafizik për të cilin ka shkruar Karl Jaspers (1883-1969): faji që të gjithë e ndajmë kur lejojmë të ndodhin gjërat e këqija; dështimi për të ndihmuar të tjerët; marrja e veprimeve që në një farë mënyre mund t’i dëmtojë të tjerët dhe në vazhdimin e jetës sonë të zakonshme, kur ne e dimë se shumë të tjerë janë krejtësisht të mjerueshëm dhe se ndonjëherë mjerimi i tyre e mbështet jetën tonë. Ajo shtëpi e pleqve nuk mund ta shfajësojë veten duke suspenduar katër infermiere. Të gjithë krerët e asaj shtëpie kanë faj. Nuk mund ta shfajësojë veten secili që e ka parë atë video dhe nuk ka reaguar. Nuk mund ta shfajësojnë veten familjarët e infermiereve. As fëmijët që lehtë po heqin dorë nga ata që i rritën …

Të jesh njerëzor është gjë e thjeshtë: përmbushja e asaj që njihet si Maksima e Artë, që udhëzon të mos i trajtosh njerëzit ashtu siç nuk do të doje të të trajtojnë ty të tjerët. Apo, në trajtën më pak urdhëruese – që t’i trajtosh të tjerët ashtu siç dëshiron të të trajtojnë. Por, shqiptarët e braktisën Zotin. Këtë titull e kam përdorur një herë në një shkrim – për një shqiptar që alivanoset në rrugën Ferizaj-Gjilan, vdes dhe askush nuk i afrohet – i frymëzuar nga dramaturgu gjerman Wolfgang Borchert (1921-1947) dhe nga tragjedia e tij e vitit 1946, “Jashtë derës”. Ai flet për vuajtjet e ushtarëve gjermanë – viktima të oficerëve; për kohën kur njerëzit e braktisën Perëndinë – dhe Ai nuk mundi të bënte gjë për ta!

Zoti nuk e prish gjendjen e një populli, përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre (Suretu Er Rra’d 11). Në gjendjen në të cilën po katandisemi, nuk mund të na shpëtojë as Amerika, as NATO as BE. Jo përderisa shqiptari për shqiptarin vazhdon të jetë shqiptar.