Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”
Ngjarja e ndodhur në Pejë ku rrihet, shtyhet e fotografohet duke u bulizuar një Nënë nga personeli “i specializuar” i një Qendre të Kujdesit për të Moshuarit, na shqetesoi pa masë.
Nëna e një Heroi, e një Heroi që solli lirinë e Kosovës!
Mjerisht si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, ndihemi tepër të tronditura ndaj këtij akti jo njerëzor, e kërkojmë sensibilizimin e jo vetëm të shoqërisë civile, por edhe të shtetit shqiptar e politikës shqiptare.
Po na dhunohen Nënat!
Edhe pse kjo ngjarje ndodhi, në video shihet se të tjerët qeshin pa pikë ndërgjegjësimi.Të gjithë kemi nëna, kemi prindër, të gjithë kemi ardhur në jetë nga prindërit tanë. Prindi i mirë sigurisht ka meritën që kujdeset për fëmijën e tij, sakrifikon gjumin, rehatinë, interesohet për shëndetin, mbarëvajtjen dhe shkollimin e fëmijës. Ka edhe prindër, nënë ose baba, që tregohen jo human ndaj fëmijës që sjellin në jetë, e nuk duan t’ja dinë nëse fëmija i tij nuk ka bukë, qumësht, këpucë për dimër apo libra për në shkollë.
Fëmija rritet, prindërit moshohen, plaken, fillon në një farë mënyre “rrotacioni familjar”. Proçesi i kujdesit kalon nga prindërit tek fëmija. Pra tashmë fëmija duhet të interesohet për shëndetin e prindërve. Ka shumë fëmijë që për rrethana të caktuara i dërgojnë prindërit e tyre nëpër Qendrat e Kujdesit për të Moshuarit. Por a tregon personeli i këtyre Qendrave kujdesin dhe interesimn e duhur ndaj të moshuarve njësoj si fëmija e tyre.
Kjo vlen për t’u parë, kontrolluar pse jo edhe investiguar. Sipas ngjarjes së fundit në Pejë, edhe në banjë (tualete) duhet të instalohen kamera nëpër këto lloj Qendrash, nëpër dhomat e fjetjes detyrimisht, por edhe kudo nëpër ambjentet ku kalojnë kohën të moshuarit, duhet të vendosen pa tjetër kamera..
Autorët e këtij krimi të rëndë duhet të marrin dënimin maksimal, pasi po na dhunohen Nënat, krijueset e Jetës!