Kiev, 3 nëntor 2022 – Operatori shtetëror bërthamor i Ukrainës ‘Energoatom’ njoftoi të enjten se goditjet me artieri nga ana e forcave ruse kanë dëmtuar linjat elektrike që lidhin centralin bërthamor të Zaporiazhias me rrjetin elektrik të vendit. Aktualisht funksionimi i centralit më të madh bërthamor të Evropës varet nga gjeneratorët me naftë.
Në një njoftim në rrjetin Telegram, ‘Energoatom’ bëri të ditur se gjeneratorët kanë karburant të mjaftueshëm vetëm për 15 ditë.
“Numërimi mbrapsht ka filluar”, shkruanin përfaqësuesit e Energoatom-it, duke ngritur shqetësimin për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.
Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar shpesh njëra-tjetrën për bombardimet pranë impiantit. Agjencia mbikëqyrëse bërthamore e OKB-së ka paralajmëruar se sulmet me artileri mund ta dëmtojnë centralin duke rrezikuar ndotje bërthamore.
Centrali ndodhet brenda një pjese të rajonit të Zaporizhias të pushtuar nga forcat ruse, që në ditët e para të sulmit në Ukrainë që nisi më 24 shkurt.
Megjithëse presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për transferimin e impiantit në pronësi të Rusisë, ai vazhdon të drejtohet nga personeli ukrainas. ‘Energoatom’ ka kërkuar vazhdimisht tërheqjen e forcave ruse nga impianti dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar rreth tij.
“Energoatom’ akuzoi gjithashtu Rusinë për përpjekje për të lidhur centralin bërthamor me sistemin energjetik rus. Operatori tha se pala ruse do të përpiqet të riparojë linjat elektrike në mënyrë që të lidhë centralin me rrjetin rus e për rrjedhojë, të furnizojë me energji rajonin e Krimesë të pushtuar nga Moska, si dhe Donbasin, i cili kontrollohet aktualisht nga Rusia.
(Zëri i Amerikës)