Beograd, 3 nëntor 2022 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia “nuk është në konflikt me askënd”, por nuk mund të lejojë që dikush të spiunojë ushtrinë e saj.
Duke komentuar rrëzimin e një droni pranë objekteve ushtarake afër Rashkës në jug të Serbisë, Vuçiq tha se kjo nuk është hera e parë që fluturake pa pilot janë hasur mbi ndërtesa ushtarake të forcave të armatosura serbe dhe se kjo përbën “një lloj agresioni”.
“I kemi detektuar ditë më parë dhe ne i paralajmëruam ata. Ky lloj vëzhgimi dhe puna e paligjshme e inteligjencës përbën një lloj agresioni kundër një shteti sovran”, tha Vuçiq për gazetarët gjatë vizitës në një qendrën stërvitore ushtarake ku po zhvillohen stërvitjet “Manovrat 2022”.
Vuçiq tha se “po punohet” për të përcaktuar se kush ka operuar me dronin komercial që ushtria serbe tha se e rrëzoi më 2 nëntor afër garnizonit të ushtrisë serbe në Rashkë.
“Ata përdorën dron komercial duke menduar se nuk mund të zbulohet se kush është pronari i tij dhe kush qëndron pas këtyre veprimeve të paligjshme”, tha Vuçiq.
Duke folur për këtë incident, Vuçiq tha se “aktiviteti i përbashkët kundër Serbisë është menjëherë i dukshëm”.
“Nuk do ta quaja armiqësor sepse ka konotacion tjetër në shtet dhe rajon. Ne nuk jemi në konflikt me askënd, por a do të dëshironit që dikush të spiunojë ushtrinë tonë, të hyjë në çdo hangar në territorin e Serbisë qendrore dhe të numërojë çdo plumb dhe granatë që kemi”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se më 2 nëntor, dronët e NATO-s “kanë qarkulluar gjatë gjithë ditës në Bërnjak dhe Jarinjë”, që janë pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.
“Ata ishin 200 deri në 500 metra larg vijës administrative, NATO në këtë rast ndoqi të gjitha procedurat. I pamë dhe nuk patëm asnjë problem, por ne kemi të drejtë të rrëzojmë dronët në përputhje me Rezolutën 1244 dhe me Marrëveshja e Kumanovës”, tha Vuçiq.
Më 1 nëntor, Vuçiq urdhëroi rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se gatishmëria ushtarake u rrit për shkak se dronë nga Kosova hynë në Serbi dhe vëzhguan pozicionet dhe ndërtesat e ushtrisë serbe.
Kosova ka mohuar se dronët kanë shkuar nga territori i saj në Serbi. Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, tha më 1 nëntor se këto pretendime po bëhen për të përhapur panik në mesin e qytetarëve.
Urdhri i Vuçiqit për rritjen e gatishmërisë ushtarake erdhi në ditën kur në Kosovë nisi zbatimi i planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Kosova i konsideron ilegale targat e lëshuara nga Serbia, por deri më tani i ka toleruar ato në veri të Kosovës.
Raketat ruse, pjesë e stërvitjeve ushtarake
Si pjesë e stërvitjeve trijavore ushtarake për forcat aktive dhe ato rezervë të ushtrisë serbe, gjatë vizitës së Vuçiqit, u testua edhe raketa kundërtanke ruse “Kornet”.
Vuçiq tha se këto “janë raketat më të mira për qëllimet që Serbia ka”.
Ai po ashtu theksoi se “Serbia sot është më e fuqishme sesa ka qenë më parë”.
“Detyra jonë kryesore është të ruajmë paqen dhe në këtë drejtim ne po bëjmë të mirën”, tha Vuçiq.
Gjatë stërvitjeve po ashtu janë shfaqur edhe armë dhe pajisje të tjera ushtarake.
(REL)