Kurti: Djegia e veturave në veri bëhet nga kriminelët e mbështetur nga Beogradi

Prishtinë, 4 nëntor 2022 – Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka dënuar djegien e veturave të qytetarëve serbë që i kanë konvertuar targat në RKS.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ky reagim ka ardhur pas kërkesës së tij drejtuar Borrellit.

“I kam kërkuar Borrellit ta dënojë djegien e veturave në veri të Kosovës. Kjo është bërë nga kriminelët të cilët janë të organizuar në struktura të ndryshme, por e përbashkëta e të gjitha këtyre strukturave është se Beogradi i dirigjon dhe i financon”, ka deklaruar Kurti për mediat serbe, në Berlin.

“Ne duam paqe dhe siguri për krejt qytetarët dhe shteti i Republikës së Kosovës është shtet i pavarur që ka sundim të ligjit dhe respektim të Kushtetutës së vet. Por, e dimë që në veri të shtetit tonë është Serbia, ku nuk ka as demokraci e as vlera proevropiane, për shkak se Beogradi, në të vërtetë e ka marrë anën e Kremlinit dhe të presidentit Putin, i cili e ka ndërmarrë sulmin e tmerrshëm ndaj Ukrainës”, ka thënë Kurti.

“Atje, pos krimeve të ndryshme të luftës, në njëfarë mënyre, Putin po dëshiron ta sulmojë gjithë rendin evropian dhe euroatlantik ,i cili nuk është vetëm rend i sigurisë e paqes, por edhe i demokracisë dhe lirisë, të atillë çfarë ne i njohim”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

(r.m.)