Pekin, 4 nëntor 2022 – Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi sot Kinën ku i kërkoi presidentit Xi Jinping që Kina të “ushtrojë ndikimin e saj në Rusi”. Vizita njëditore e udhëheqësit gjerman ka nxitur kritika për shkak të mbështetjes së heshtur që Kina i jep Moskës. Në një konferencë shtypi pas takimit, Kancelari Scholz foli edhe për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.
Kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi Pekinit të shfrytëzojë ndikimin që ka mbi Moskën kundër luftës në Ukrainë.
“Si një lojtar politik global dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina ka përgjegjësi për paqen në botë. Unë i thashë Presidentit Xi se është e rëndësishme që Kina të ushtrojë ndikimin e saj tek Rusia”, tha kancelari gjerman, Scholz.
Kancelari gjerman foli me gazetarë së bashku me kryeministrin në largim kinez, Li Keqiang, ndonëse asnjë pyetje prej gazetarëve nuk u lejua.
“Kemi biseduar për krizën aktuale të Ukrainës dhe të dyja palët shpresojnë që kjo krizë të përfundojë sa më shpejt, situata të lehtësohet dhe nuk duhet të përshkallëzohet. Pika jonë fillestare është të nxisim paqen dhe të promovojmë bisedimet”, tha ndër të tjera kryeministri kinez, Li Keqiang.
Kancelari gjerman gjithashtu foli për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore duke thënë se ka pajtim me Kinën se përdorimi i tyre është “i papërgjegjshëm dhe shumë i rrezikshëm”.
Udhëtimi që konsiderohet delikat në aspektin diplomatik u bë ndërsa Gjermania dhe Bashkimi Evropian po punojnë për strategjinë e tyre përballë një Kine gjithnjë e më autoritare.
Vizita njëditore e kancelarit gjerman po teston ujërat mes Kinës dhe Perëndimit pas vitesh tensioni në rritje, thonë analistët, me bisedimet që prekin luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ndryshimet mjedisore dhe qasjen reciproke ndaj tregëtisë.
Zoti Scholz, është udhëheqësi i parë i 7 vendeve më të industrializuara të botës që viziton Kinën që nga fillimi i pandemisë së virusit “COVID-19”.
(Zëri i Amerikës)