Votuesit shqiptarë të ndarë në parti dhe jo sipas interesave
Aristir Lumezi
Votuesit shqiptarë edhe në këto zgjedhje do të votojnë si tifozë të skuadrave të futbollit dhe jo sipas kërkesave apo interesave të tyre. Prej 22 vitesh që prej rënies së sistemit komunist, dy partitë kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë konsoliduar elektoratin e tyre në qëndrueshëm në prej 35% secila, ndërsa pjesa tjetër, prej 30% ndahet mes partive të tjera që garojnë në zgjedhje. Ajo që bie në sy, është se ende shqiptarët nuk kanë arritur të votojnë sipas interesave të tyre, që nënkupton grupe interesi për çështje të caktuara.
Shembulli më domethënës është Partia e Pensionistëve të Shqipërisë. Pensionistët, ata që kanë mbushur moshën 65 vjeç kanë votuar kryesisht partinë Socialiste, për shkak se një pjesë të mirë të jetës së tyre kanë shërbyer në sistemin e mëparshëm, dhe ardhja e demokracisë ose i nxori ata nga puna ose në asistenca të pasigurta financiare, duke mos u pajtuar me Partinë Demokratike e cila drejtoi vendin në periudhën e parë pluraliste, 1992-1996. Në Shqipëri numërohen 520 mijë pensionistë, të cilët votojnë sot të ndarë në parti të ndryshme, sipas interesave të vogla personale dhe jo të një grupi, ose për bindjet e tyre të djathta ose të majta prerazi.
Nëse pensionistët e Shqipërisë do të votonin për partinë e tyre, ata do të kishin mundësinë që të ushtronin presion në parlament për të ndërmarrë disa reforma që do të rregullonte trajtimin e tyre financiar dhe shëndetsor. 520 mijë vota për Partinë e Pensionistëve të Shqipërisë do të thotë të paktën 40 deputetë nga 140 që ka parlamenti shqiptar. Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2009 mori 610 mijë vota me 68 mandate dhe Partia Socialiste 620 mijë vota, me 65 mandate. Kryetari i partisë së Pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jeminsheri tha dje se “kërkon që të ndërgjegjësojë pensionistët që të votojnë këtë parti dhe programin e saj, i cili në themel ka rritjen e pensioneve dhe trajtimin e tyre në kushte më të mira shërbimesh”. Jeminsheri thotë se vetëm nga formalizimi dhe sigurimi i 300 mijë punonjësve që punojnë në të zezë dhe të pa siguruar, do të rriste buxhetin e Sigurimeve shoqërore duke bërë të mundur që pensionistët të përfitonin dhe një shtesë prej 40 dollarësh në muaj. Rritja e pensioneve që bëhet çdo vit nga qeveria, nuk i kalon të 7-10 dollarët. Pensioni minimal i një pensionisti në qytet është 110 dollarë dhe më i larti 250 dollarë. Sipas Jeminsherit, vetëm në Tiranë, ku ai kandidon në krye të listës, jetojnë 120 mijë pensionistë. Në një qark ku pragu elektoral është i ulët, do të duheshin vetëm 5 mijë vota për të marrë një deputet, objektiv lehtësisht i arritshëm nëse zgjedhësit do të votonin sipas interesit të grupit të tyre dhe jo ngjyrës së dy partive të mëdha.