Prishtinë, 8 nëntor 2022 – Liderët opozitarë në Kosovë i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.
Të tre liderët e partive opozitare i shkuan në takim Kurtit për të diskutuar për “zhvillimet e fundit në vend, e sidomos në veri të vendit”.
Takimi është thirrur tri ditë pasi përfaqësuesit serbë u dërhoqën nga institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet dhe pas deklaratave të vetë Kurtit se janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë për destabilizmin e situatës në veri të vendit.
Në takim morën pjesë Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kreu i PDK-së, Krasniqi, pas takimit, tha se Kosovës “në këto momente i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit”.
Ndërsa, lideri i LDK-së, Abdixhiku, theksoi se në takim me Kurtin nuk kanë parë ndonjë plan konkret e “as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”.
Ai tha se meqë gjendja e sigurisë në vend “është shumë e rëndë”, është jetik koordinimi me partnerët, me theks të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa, Haradinaj lëshoi takimin dhe shkroi se u detyrua ta bënte këtë për shkak që, siç u shpreh, “Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse i ka prishur raportet me Amerikën”.
“Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, t’i prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kurtit që të shtyjë vendimin për targat.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.
Dje, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se “aktualisht situata në veri është e qetë” dhe se janë në vazhdimësi në koordim me KFOR-in dhe EULEX-in.
Ai tha se deri më 7 nëntor, Kosova ka pranuar dorëheqjen e 461 zyrtarëve serbë të rendit, 107 policëve kufitarë dhe dhjetë hetuesve policorë.
Vendimi i Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës erdhën pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automj eteve që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje.
“Bojkotet nuk janë zgjidhje. Institucionet nuk kanë alternativë”, theksoi ai.
Serbia e ka mbështetur pa rezevë vendimin e Listës Serbe.
Partnerët ndërkombëtarë kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë dhe për shmangien e eskalimit të tensioneve në Kosovë.
(REL)