Në Shqipëri, opozita e quan buxhet elektoral projekt-buxhetin e vitit 2023

Tiranë, 8 nëntor 2022 – Shoqata e Bashkive të Shqipërisë tha të hënën se buxheti për bashkitë për vitin 2023 është rritur me 17.6 për qind krahasuar me një vit më parë, por opozita e cilësoi rritjen si të motivuar nga interesa elektorale.

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, si përfaqësues i shoqatës, tha se e vlerësonte buxhetin e ndarë nga qeveria qëndrore për bashkitë duke pasur parasysh krizën ekonomike duke e rritur në 17.6 për qind krahasuar me buxhetin paradhës.

“Kjo rritje e çon në 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas angazhimit të marrë, por dhe shënon rritje nga viti në vit, veçanërisht në një vit të vështirë financiar”- tha Mazniku duke e cilësuar këtë shtesë të domosdoshme për të gjita bashkitë.

“Bashkitë kanë gjithmonë nevoja”- shtoi ai, por tha se duke pasur parasysh situatën e përgjithshme fondet u japin mundësi bashkive të funksionojnë normalisht.

Mazniku theksoi se kishte disa shqetësime e sugjerime dhe parashtroi disa kërkesa në lidhje me mekanizmin e shpërndarjes së transfertës së pakushtëzuar, si dhe një angazhim më të madh buxhetor për bashkitë e prekura nga procesi i rindërtimit si pasojë e tërmetit të vitit 2019.

Deputetët e opozitës e quajtën një buxhet elektoral duke marrë parasysh mbajtjen e zgjedhjeve vendore në pranverën e vitit që vjen, duke vënë në dukje që bashkitë drejtohen nga mazhoranca në pushtet.

Dhurata Çupi tha se ky është një buxhet elektoral dhe se rrezikon të përdoret më shumë për paga punonjësish për vota sesa për shërbime për qytetarët.

Sipas saj në ato bashki urbano-rurale, ku sektori bujqësisë përbën 25% te GDP kombëtare, nuk është në axhendën e këtij buxheti.

“Nëse kryetarët e bashkive do të ishin të zgjedhur nuk do të vinin këtu të thonin sa të kënaqur janë nga buxheti, por bashkitë janë kthyer në filiale të qeverisë qendrore”- tha ajo.

Por, sipas Maznikut, kërkesa për buxhet më të madh do të ishin të palogjikshme dhe të papërgjegjshme duke parë mundësitë reale që ka shteti shqiptar.

“Nuk mund të vijmë këtu të kërkojmë qiqra në hell”- tha ai, duke shtuar se ishte realizuar rritja tek 1% të GDP për pushtetin vendor.

Çupi i kërkoi Maznikut të thoshte numrin e punonjësve të bashkisë Tiranë për vitin që vjen, por nënkryetari i bashkisë tha se nuk kishte detyrim ligjor për këtë.

“Numri i punonjësve është vendimmarrje autonome e bashkive dhe miratohet nga Këshilli Bashkiak”- tha ai.

Edhe deputeti Oerd Bylykbashi e cilësoi prezantimin si një tregues të centralizimit të pushtetit vendor. “Më bën përshtypje se si përfaqësues të pushtet vendor apo institucioneve të pavarura nuk kërkojnë para se s’sduan të shqetësojnë qeverinë”- tha ai.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave Fran Brahimi se qeveria kishte adresuar nevojat e pushtetit vendor. Sipas tij, rindërtimi kishte një fond të dedikuar 6.5 miliardë lekë.

Po ashtu, sipas Brahimit, një fond prej 700 milionë lekë do të akordohej nga Ministria e Mjedisit për pastrimin, pas një analize për sasinë e mbetjeve që prodhon çdo bashki dhe se ishte parashikuar dhe fondi që mbulonte rritjen e pagave.

(Reporter.al)