Prishtinë, 15 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Stuttgart të Gjermanisë, ka bërë të ditur zyra e kryeministrisë të martën.
“Gjatë qëndrimit dyditor, kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik ‘’Global Connect 2022’’. Ai po ashtu do të zhvillojë takime me përfaqësues politikë të landit Baden-Württemberg dhe të bizneseve atje”, thuhet në njoftim.
Kurti të hënën ka qëndruar në Austri, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës. Aty, ai tha se Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon, 10.7 për qind.
“Ekonomia e Kosovës është duke u rritur shpejtë, për çka është me rëndësi demokracia jonë po forcohet. Kemi ardhur më pranë tek aspiratat tonë demokratike. Jam shumë i kënaqur që kryeministrat e Ballkanit Perëndimor i kanë nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme në Berlin. Marrëveshjet shpejtë pritet të ratifikohen nga Kuvendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.
Kurti foli në Vjenë edhe për energjinë e ripërtëritshme. Ai tha se pikë kyqe e strategjisë së energjisë është dekarbonizimi dhe rritja e efiçiencës së energjisë.
“Deri në vitin 2031 ne do të ndërtojmë 400 megavat energji nga era që është 35 % të prodhimit të energjisë në Kosovës”, tha ai.
(r.m.)