Abdixhiku pritet nga Escobar në Departamentin e Shtetit: Aleanca me SHBA-të është jetike për Kosovën

Uashington, 15 nëntor 2022 – Ditën e parë të vizitës së tij në SHBA, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Gabriel Escobar, Zëvendës-ndihmës Sekretar i Shtetit dhe i Dërguar i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të SHBA-ve për Kosovën.

“LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të Qeverisë së SHBA-ve, të institucioneve të tjera dhe të popullit amerikan për Republikën e Kosovës. Së bashku, deri më tani, kemi arritur rezultate historike, mbi të cilat duhet të sigurohet e ardhmja e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se në takim me z. Escbar ka shtruar kërkesën për nënshkrimin e Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.

“Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se në takim i ka paraqitur edhe pikëpamjet e LDK-së lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe se theksuar se Kosova ka nevojë për koordinim të ngushtë me Amerikën.

“Escobarit ia prezantuam edhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat”, ka shkruar Abdixhiku.

This image has an empty alt attribute; its file name is Gabriel-Escobar-e-Lumir-Abdixhiku.jpg

Kryetari i LDK-së, pas takimit me z. Escbar, ka shprehur shqetësimin për, siç është shprehur “degradimin” e marrëdhënieve me qeverinë amerikane.

“Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane”, ka shkruar Abdixhiku.

“Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë”, ka theksuar kryetari i LDK-së.

“Edhe një herë, u bëj thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.

Në takim me z. Escbar kanë qenë të pranishëm edhe Kujtim Shala dhe Jehona  Lushaku – Sadriu, anëtarë të kryesisë së LDK-së.

(r.m.)