Prishtinë, 19 qershor 2013 – Zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe nga shërbimi diplomatik i Kosovës, për shkak të mospajtimeve me kryeministrin Hashim Thaçi. Ai ka bërë të ditur se kryeministri Thaçi i kishte telefonuar pas një deklarate që kishte dhënë për mediet në Beograd, në të cilën kishte thënë se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk do të ketë normalizim të plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në letrën drejtuar Presidentes Jahjaga, Peci shkruan:
“E nderuara Shkëlqesia e Juaj, znj. Presidente,
Më lejoni t’ju njoftoj se po jap dorëheqje të parevokueshme nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës.
Arsye e dorëheqjes sime është mospajtimi dhe kritika që më është bërë nga z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës, në lidhje me deklaratën time në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do ta njohë pavarësinë e vendit tonë.
Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tone në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por, si po duket, kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla, nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast ju falenderoj Juve, znj. Presidente, dhe ish-Presidentin z. Fatmir Sejdiu, për besimin që ma keni dhënë për udhëqjen e misioneve diplomatike të shtetit tone në Stockholm dhe në Beograd.
Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, konsideratat më të larta për personalitetin Tuaj.
Sinqerisht,
Lulzim Peci”.
Para se të emërohej zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Beograd, Lulzim Peci ka qenë ambasador i Kosovës në Suedi.
R.M.