Nga Ruben Avxhiu
Pelin Batu, aktorja dhe historianja turke, autore e shumë librave, ka postuar në rrjetet sociale një fotografi me bustin e Skënderbeut në Zvicër.
“Me stër-stërgjyshin tim, Skënderbeun, në Gjenevë”, ka shkruar ajo duke u bërë personaliteti i radhës turk që zbulon rrënjët shqiptare.
Pelin është vajza e një diplomati, Inal Batu, që e ka kaluar pjesën më të madhe të fëminisë dhe rinisë në vende të ndryshme të botës. Shkollën e mesme e ka kryer në New York City. Ku edhe ka filluar universitetin. Ajo është diplomuar në histori në Universitetin Boğaziçi në Stamboll. Në New York ka studjuar edhe për aktrim dhe muzikë.
Megjithë numrin e librave që ka shkruar, popullariteti i ka ardhur nga filmat dhe serialet televizive.
Babai i saj Inal Batu ka qenë Ambasadori i Turqisë në OKB si dhe në Itali, mes shumë detyrash të tjera të rëndësishme diplomatike. Gjyshi, Selahattin Batu, ka qenë poet dhe autor shkrimesh, i diplomuar në zooteknikë dhe gjenetikë, në Gjermani.
Pelin Batu nuk e ka shpejguar se nga cila anë e familjes ka rrënjë shqiptare, por babai i gjyshit të saj Emin Beu ka qenë sipas ëikipedias turke Kryesekretari i Këshillit të Administratës së Çanakkalesë, kurse e ëma, Avdije Hanëmja, vajza e Haxhi Ahmet Beut, një figurë e njohur në Galipoli. Për shumë dekada në Turqi prejardhja etnike është mbajtur private. Kjo ka filluar të ndryshojë prej kohësh tashmë. Besohet se deri në tre milionë turq mund të kenë origjinë shqiptare.