Bali (Indonezi), 16 nëntor 2022 – Udhëheqësit botërorë të mbledhur për një takim të vendeve të G-20 në Bali të Indonezisë, zhvilluan një takim urgjent mëngjesin e së mërkurës pasi dy individë u vranë gjatë shpërthimeve për të cilat autoritetet ukrainase dhe polake thonë se u shkaktuan nga raketa ruse.
Takimi u thirr nga Presidenti Joe Biden, tha Shtëpia e Bardhë, pas një shpërthimi në fshatin Przewodow në lindje të Poloninsë, pranë kufirit me Ukrainën.
Në takim morën pjesë udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Kanadasë, Holandës, Japonisë, Spanjës, Italisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.
Presidenti Joe Biden i ka ofruar Polonisë mbështetje dhe ndihmë të plotë amerikane lidhur me hetimet mbi shpërthimin pranë kufirit me Ukrainën që u mori jetën dy individëve.
Presidenti Biden foli me homologun polak Andrzej Duda dhe i shprehu ngushëllimet e thella për humbjen e jetëve mbrëmjen e së martës, njoftoi Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate.
Presidenti Duda e informoi zotin Biden lidhur me hetimet e vendit të tij mbi shpërthimin në pjesën lindore të vendit, pranë kufirit me Ukrainën.
Presidenti Biden rikonfirmoi angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s. Të dy udhëheqësit u pajtuan që ata dhe ekipet e tyre të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për të përcaktuar hapat e duhur ndërsa vazhdojnë hetimet, përfundon njoftimi i Shtëpisë së Bardhë.
Presindeti polak Andrzej Duda tha gjatë një konference shtypi se ishte e ditur që Rusia goditi me raketa Ukrainën gjatë së martës. Por, tha ai, për momentin nuk ka prova se kush e lëshoi raketën. Kam besim të plotë se hetimet do ta sqarojnë këtë, tha ai. Ka shumë të ngjarë që raketa të ishte e prodhimit rus, por gjithçka po hetohet. Presidenti Duda tha se të mërkurën ka shumë të ngjarë që të aktivizohet Neni 4 i NATO-s gjatë një takimi të aleancës.
Sipas Nenit 4 të traktatit, vendet anëtare mund të sjellin për diskutim çështje shqetësuese, kryesisht që lidhen me sigurinë e një vendi pjestar të aleancës. Që nga krijimi i NATO-s në vitin 1949, Neni 4 është aktivizuar disa herë, për shembull nga Turqia.
Në një konferencë shtypi, Kryeministri Mateusz Morawieck tha se Polonika ka vendosur të rrisë gatishmërinë luftarake, sidomos kur bëhet fjalë për ruajtjen e hapësirës ajrore të Polonisë në bashkëpunim me vendet aleate. Kryeministri bëri të ditur vendimin për të thirrur për shpjegime ambasadorin e Federatës Ruse në Varshavë.
Zoti Morawieck tha se Polonia po bashkëpunon me ekspertët ndërkombëtarë për identifikimin e shkaqeve të asaj që ndodhi në fshatin pranë kufirit me Ukrainën.
Dy persona humbën jetën nga një shpërthim në një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën të martën, thanë zjarrfikësit. Njësitë e specializuara polake në bashkëpunim me aleatët e NATO-s po hetojnë lidhur me njoftimet e pakofirmuara se shpërthimi ishte shkaktuar nga raketa ruse që kanë devijuar objektivat.
Shpërthimi të martën ndodhi ndërsa Rusia goditi me raketa qytete të shumta në mbarë Ukrainën. Kievi tha kjo ishte vala më e ashpër goditjeve që nga fillimi i agresionit. Disa nga raketat goditën qytetin Lviv, më pak se 80 kilometra larg kufirit me Poloninë.
Një zyrtar i NATO-s tha se aleanca po shqyrtonte njoftimet dhe po konsultohej nga afër me Poloninë.
Agjencia e lajmeve Associated Press citoi një zyrtar të lartë të zbulimit amerikan të ketë thënë se, shpërthimi në fshatin lindor polak Przewodow ishte shkaktuar nga raketat ruse që kishin rënë në Poloni.
Ndërkohë, Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit thanë se nuk mund të konfirmonin se raketat ruse kishin rënë në territorin polak.
“Kemi dijeni mbi njoftimet e shtypit që pretendojnë se dy raketa ruse kanë goditur një zonë brenda Polonisë pranë kufirit me Ukrainën. Për momentin nuk kemi asnjë informacion dhe po e shqyrtojmë situatën edhe më tej”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Patrick Ryder.
Ministria ruse e mbrojtjes i mohoi raportet se raketat ruse kishin rënë në Poloni, duke i cilësuar ato si “një provokim i qëllimshëm që synon përshkallëzimin e situatës”.
Mbrëmjen e së martës, kryeministri polak Mateusz Morawiecki thirri një takim urgjent të komitetit qeveritar për çështjet e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, tha në rrjetin Twitter zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller.
Radioja polake ZET raportoi se dy raketa “qorre” goditën fshatin Przewodow, duke vrarë dy persona, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Fshati ndodhet 6 km nga kufiri me Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha pa ofruar prova, se raketat ruse kishin goditur Poloninë.
Zyrtarë të lartë nga Gjermania, Norvegjia, Lituania dhe Estonia, vende anëtare të NATO-s, thanë se po përpiqeshin të mblidhnin më shumë informacione në bashkëpunim me Poloninë dhe aleatët e tjerë.
“Ky është një incident shumë serioz, por shumë gjëra mbeten të paqarta”, tha Ministrja e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt.
(Zëri i Amerikës)