Prishtinë, 16 nëntor 2022 – Shtyrja e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe do t’i ulte tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të siguronte marrëveshje finale mes tyre, thonë analistë të çështjeve politike në Kosovë.
Partitë opozitare, ndërkohë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje.
Por, me gjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për ta shtyrë vendimin për targat për dhjetë muaj, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e tij në faza më 1 nëntor.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme; e dyta gjobën prej 150 eurosh dhe e treta shpërndarjen e targave të përkohshme.
Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.
SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori.
Kjo, pasi vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.
Shumica e tyre i kundërshtojnë targat RKS, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se shteti i Kosovës është në krizë.
Bashkimi Evropian, në anën tjetër, është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave të paligjshme serbe.
I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia ka prezantuar këtë propozim kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel.
Bislimi tha të mërkurën se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.
Ai tha se nuk e di se çka do të ndodhë më 21 nëntor, sepse “jemi në bisedime”.
Shtyrja e vendimit ul tensionet në veri
Analistët politikë thonë se Qeveria e Kosovës duhet t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara si partnere strategjike dhe t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.
Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vendim i Kosovës do të ishte mirë të merrej në mënyrë të koordinuar jo vetëm me SHBA-në, por edhe me BE-në.
“Do të duhej të diskutohej se çka ka SHBA-ja në plan të bëjë gjatë periudhës 10-mujore. Nëse [kjo periudhë] është për ta përgatitur terrenin dhe Kosovën për marrëveshje finale [me Serbinë], atëherë do të ishte mirë që Kosova ta diskutonte në mënyrë strategjike atë plan”, thotë Emini.
Afati prej dhjetë muajsh, shton Emini, ka mundur të hapte një derë për Kosovën që t’i zgjidhte përfundimisht problemet me Serbinë.
Dy vendet, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg.
Emini thotë se tensionet që ka krijuar çështja e targave, e kanë sjellë Kosovën në periudhën e paradialogut me Serbinë.
“Po duket që kryeministri Kurti, i cili nuk i ka negociuar deri tash marrëveshjet me Serbinë dhe ka qenë i pakënaqur me ato marrëveshje, sikur po e kthen në pikën zero [dialogun], për ta filluar dhe për ta udhëhequr vetë, siç dëshiron vetë”, thotë Emini.
Sipas saj, nuk zhbëhet një proces, i cili është zhvilluar mbi dhjetë vjet.
Ajo thotë se marrëveshjet e arritura me Serbinë gjatë viteve, duhet të zbatohen, pasi Kosova është zotuar për zbatimin e tyre.
Sipas Eminit, Kosova nuk mund të kthehet në pikën zero, sepse, siç thotë, “nuk dihet se si do të jetë elita politike në SHBA pas dy vjetësh” dhe “nuk dihet se si do të jetë BE-ja pas luftës në Ukrainë”.
“Humbja e këtij momentumi është e dëmshme për Kosovën dhe nuk po duket që ka ndonjë plan B, përveç bllokadës. Kjo i kushton shumë më shumë Kosovës sesa Serbisë”, konsideron Emini.
Situata e tensionuar në veri nuk zgjidhet pa marrëveshje
Drejtori i organizatës joqeveritare, Çohu, Arton Demhasaj, thotë se situata e krijuar pas fillimit të zbatimit të planit për targa dhe largimit të serbëve nga institucionet, do të pamundësojë funksionimin normal në pjesën veriore të Kosovës.
Sipas tij, as zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri – të cilat u caktuan për datën 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të deritashëm serbë – nuk do të mund të realizohen pa u arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Duke parë situatën momentale, mendoj se Qeveria duhet të reflektojë dhe t’i marrë parasysh kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Uashingtonit, dhe ta shtyjë zbatimin e vendimit për targa për aq kohë sa është kërkuar nga SHBA-ja”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.
Shtyrja e zbatimit të vendimit për targa, thotë ai, është mundësi për të arritur marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, njëkohësisht, të mos ketë tensione më të mëdha në veri.
Opozita: Kurti po merret me çështje teknike
Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër, do të ishte shumë më e rëndësishme dhe e vlefshme sesa çështja e targave.
“Në kohën kur aleatët tanë strategjikë po na kërkojnë ta shfrytëzojmë momentumin gjeopolitik për të arritur marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ka degraduar procesin dhe po vazhdon të merret me çështje teknike… Nëse asgjë tjetër, lufta në Ukrainë – agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë – na ka mësuar se aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti”, thotë Çitaku, duke shtuar se Kurti ka zgjedhur t’i injorojë rekomandimet e aleatëve amerikanë.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti tjetër në opozitë, ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA. Në një postim në Facebook të martën, ai shkroi se ka biseduar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për situatën në Kosovë.
Abdixhiku tha se ka shprehur shqetësimin e tij për shkallën, në të cilën, siç u shpreh, “institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane”.
Sipas Abdixhikut, koordinimi i ngushtë i institucioneve të Kosovës me SHBA-në dhe me partnerët tjerë është garanci për kapërcimin e të gjitha sfidave.
Ditë më parë, lideri i partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti një rezolutë prej pesë pikash për, siç tha, situatën e krijuar në veri të Kosovës nga vendimi i Qeverisë për targat.
Pikë e parë e kësaj rezolute, e cila pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se është shtyrja e menjëhershme e vendimit për targa deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është nga më të rëndat në këta 22 vjet [pas luftës]”, tha Haradinaj.
Serbët në veri kanë nisur të marrin pjesë në institucionet e Kosovës pas marrëveshjes së parë që kanë arritur Kosova dhe Serbia për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.
Lista Serbe, partia që deri më tash ka mbajtur pushtetin në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – ka thënë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit, të shpallura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
(Luljeta Krasniqi – Veseli, REL)