Vendet e NATO-s dëshmuan vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi pas incidentit në Poloni, por edhe Rusia dëshmoi se i druhet përplasjes së drejtpërdrejtë me Aleancën
Nga Ruben Avxhiu
Meriton një koment të dytë ngjarja e djeshme e rënies së një rakete apo pjesë rakete në Poloni duke vrarë dy shtetas polakë.
E para se informacioni ka ndryshuar. Ndonëse hetimi vetëm sa ka nisur, duket se raketa ka qenë ukrainase dhe jo ruse. Është mungesë përgjegjësie dhe profesionalizmi ta lësh temën të vdesë pa korrigjuar informacionin.
E dyta, zhvillimet e këtyre 24 orëve meritojnë vëmendje dhe janë për mendimin tim zemërdhënëse.
Propaganda ruse dhe shërbëtorët e tyre në Perëndim mundohen t’ia lënë fajin e kësaj lufte të çmendur Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit, madje duke i akuzuar se kanë interes që lufta të vazhdojë dhe të zgjerohet.
Në fakt, dje udhëheqësit perëndimorë patën shansin të kërcënojnë Rusinë me luftë, të aktivizonin Nenin 5 të NATO-s, të mblidhnin urgjent Aleancën etj. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, jo vetëm që gati njëzëri folën vetëm për Nenin 4 që parashikon vetëm këshillime, por e trajtuan incidentin si aksidental. Nuk përfituan për të akuzuar Rusinë për sulme ndaj një vendi të NATO-s.
Rusët nuk mund të dërgojnë hetues në Poloni, ndaj do të kishte qenë e lehtë për NATO-n dhe qeveritë perëndimore të fabrikonin të dhënat dhe të deklaronin se ishte raketë ruse.
Jo vetëm që nuk e bënë këtë, por brenda pak orësh, ndonëse hetimi vetëm sa ka nisur, sqaruan opinionin publik se gjuajtja është bërë nga pozicionet ukrainase.
Kjo është dëshmi përgjegjësie, që duhet të na gëzojë e të na qartësojë se prirja në Perëndim nuk është përballje ushtarake me Rusinë, por rivendosja e paqes dhe forcimi i sigurisë. Mbi të gjitha eliminimi i vartësisë nga tregëtia me Rusinë dhe kufizimi i ndikimit destablizues i Rusisë në shumë rajone përfshi edhe Ballkanin.
Nga ana tjetër, të bën përshtypje këmbëngulja dhe shpejtësia me të cilën Rusia mohoi se ishte ajo që kishte gjuajtur raketën në Poloni. Bashkëpunimi i menjëhershëm nga Moska dëshmoi se edhe Rusia, megjithë kërcënimet dhe akuzat kërkon që ta shmangë një përplasje të drejtpërdrejtë me NATO-n.
Ishte qesharake që propagandistët rusë kaluan nga argumenti se Polonia e meritonte goditjen për ndihmën që i ka dhënë Ukrainës, te argumenti se nuk e e ka bërë Rusia por mesiguri NATO që do luftë me Rusinë, pasi e panë se Kremlini po e kundërshtonte me forcë autorësinë e sulmit. Sigurisht, NATO-ja po të donte pretekst e kishte sajuar një.
Kjo sjellje e Moskës gjithashtu është shpresëdhënëse se megjithë çmendurinë e Putinit, mbase është e mundshme shmangia e një lufte më të gjerë e më katastrofike. Këto sinjale dalin në pah vetëm kur ka incidente serioze, por ato ka rëndësi për shpresën e paqes.
Në fakt, shumë ekspertë dje parashikuan me një lloj sigurie se është e mundshme që një predhë ukrainase nga ato që neutralizojnë raketat ruse në ajër të ketë bërë që të dyja të përfundonin në territorin polak. Rusia që nga fillimi ka vënë në shënjestër jo vetëm rajonet e vijës së frontit por edhe rajonet larg kufirit rus, ato në kufi me Poloninë. Synimi është që t’i bëjë të gjithë ukrainasit ta vuajnë luftën. Ndërkohë asnjë rrezik nuk ka pasur për gati gjithë vitin e luftës për civilët rusë në Rusi. Imagjinoni sikur Ukraina të bënte të njëjtën gjë. Prandaj Rusia ka përgjegjësi për incidente të tilla gjithësesi. Sa kohë që qëllon rajone në kufi me vende të treta, shanset janë që në mos ata, ukrainasit të përfundojnë ndonjë metal të rëndë në kokat e popullsisë së këtyre vendeve fqinje.
Hetimi sigurisht nuk ka mbaruar. Fakti që goditja mund të ketë ardhur nga brenda territorit ukrainas nuk e shfajëson automatikisht Rusinë. Në një vend të përzierë në luftë ka grupe e agjentë që veprojnë e mund të kenë interesa që të provokojnë situatën. Ajo që është pozitive është kujdesi dhe përgjegjësia me të cilën palët u morën me këtë incident.
Opinioni im qendror për këtë rast nuk ka ndryshuar. Sa kohë që lufta vijon, incidente të tilla janë të pritshme. Vetëm fitorja e plotë e Ukrainës, mesazhi që në shekullin 21 pushtimet e vendeve nuk kanë më kuptim dhe nuk mund të njihen nga sistemi ndërkombëtar sjell paqen dhe sigurinë afatgjatë. Për Kremlinin do të jetë e vështirë për ta përtypur, por është e vetmja mënyrë që lufta të mos rikthehet, e që pushtimi i një vendi më të vogël të mos përsëritet në kënde të tjera të botës.