Doha, 17 nëntor 2022 – Katari ka angazhuar forca ushtarake e policore, si edhe kompani civile sigurie nga 13 vende të botës, për të garantuar sigurinë e rreth 1,2 milionë vizitorëve dhe tifozëve që pritet ta ndjekin Kampionatin Botëror të Futbollit, Katari 2022.
Në tetor, Pakistani dërgoi në Doha më shumë se 4,500 trupa këmbësorie, kurse Franca, Jordania, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja kanë dërguar trupa policore.
Pakistani është i vetmi vend që ka dërguar trupa ushtarake.
“Dislokimi i trupave të këmbësorisë u bë me kërkesë të veçantë të qeverisë së Katarit dhe numri i trupave u kërkua nga autoritetet e Katarit duke mbajtur parasysh marrëdhëniet e ushtrisë pakistaneze me Katarin”, tha për DW një zyrtar i lartë pakistanez.
Pas Pakistanit, Turqia ka dërguar numrin më të madh të stafit të huaj të sigurisë për Kupën e Botës. Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, tha se më se 3,000 policë turq do të jenë të pranishëm në Katar gjatë kampionatit. Ai tha se Turqia e ka trajnuar gjithashtu personelin e sigurisë të Katarit.
“Vendet zakonisht rekrutojnë personel të huaj sigurie për t’i ndihmuar ata në kryerjen e misioneve specifike,” tha për DW Ali Bakir, asistent profesor në Universitetin e Katarit dhe studiues i sigurisë në Lindjen e Mesme në Këshillin Atlantik.
“Fakti që Katari ka një popullsi të vogël e bën këtë proces më jetik dhe të domosdoshëm. Ruajtja e sigurisë gjatë dy javëve të Kampionatit Botëror do t’i tejkalonte së tepërmi kapacitetet locale”, tha Bakir.
“Do të ishte sikur Gjermania të organizonte një ngjarje me 220 milionë vizitorë”, theksoi ai.
Katari ka vetëm 400.000 banorë. Vendi ka shumë nevojë për fuqi punëtore, prandaj në këtë vend jetojnë e punojnë 2 milionë emigrantë.
(r.m.)