Uashington, 17 nëntor 2022 – Senatori Mitch McConnell u rizgjodh të mërkurën në postin e kreut të republikanëve në Senat, duke fituar ndaj senatorit nga Florida Rick Scott, i cili kishte vënë gjithashtu kandidaturën për postin.
Zoti Scott ishte shefi i fushatës së republikanëve të Senatit dhe u kritikua pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet e 8 nëntorit, ku demokratët arritën të mbanin kontrollin e Senatit.
Zoti McConnell, senator i Kentakit fitoi lehtësisht ndaj zotit Scott, kandidatura e të cilit ishte përpjekja e parë ndonjëherë për ta rrëzuar atë pas shumë vitesh si kreu i republikanëve në Senat.
Rezultati i votimit ishte 37 pro dhe 10 kundër, thanë senatorët. Zoti McConnell do të jetë udhëheqësi më jetëgjatë në Senat kur Kongresi i ri të mblidhet vitin e ardhshëm.
Sen. McConnell tha pas takimit se ishte “shumë krenar” për rezultatin, por pranoi se ka shumë punë për të bërë.
“Unë mendoj se të gjithë në grupin tonë pajtohen se duam të japim maksimumin.”
10 senatorët republikanë që votuan për zotin Scott përfshinin disa nga figurat më konservatore dhe ata të lidhur me ish-presidentin Donald Trump.
“Pse mendoj se ai fitoi?” tha senatori Josh Hawley, një nga kritikët e zotit McConnell. “Sepse grupi nuk donte të ndryshonte kurs.”
Zoti Trump ka bërë presion që partia ta rrëzojë Senatorin McConnell që kur ai mbajti një fjalim të ashpër duke fajësuar presidentin e atëhershëm për kryengritjen e 6 janarit ndaj Kapitolit.
Sen. McConnell ka kundërshtuar me forcë, duke fajësuar për problemet e republikanëve atë që ai e ka quajtur “cilësia e kandidatëve” pasi shumë nga kandidatët e tij të preferuar u zëvendësuan nga republikanët e mbështetur nga zoti Trump në zgjedhje.
Ai ka thënë se republikanët vendosën kandidatë që “frikësuan” votuesit e pavarur dhe të moderuar.
(Zëri i Amerikës)