Bangkok, 17 nëntor 2022 – Shpërthimi i raketave në një fshat në Poloni, pranë kufirit me Ukrainën shkaktoi tensione dhe reagime të forta.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Rusia mban “përgjegjësinë përfundimtare” për raketën që ra në Poloni dhe vrau dy persona.
Sakaq hetimet që po zhvillohen pritet të përcaktojnë se nga është lëshuar kjo raketë.
“Sido që të jetë përfundimi i hetimit, ne tashmë e dimë palën që mban përgjegjësinë përfundimtare për këtë ngjarje tragjike, pra Rusinë,” tha Sekretari i Shtetit i SHBA nga Bangkok, përpara një samiti të udhëheqësve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor.
Më tej shtoi: “Ajo që ne shohim çdo ditë sot është Rusia hedh raketa në Ukrainë, duke kërkuar të shkatërrojë infrastrukturën e saj,” tha kreu i diplomacisë amerikane.
“Ukraina ka të drejtë të mbrohet dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim Ukrainën,” shtoi ai.
Anthony Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë provë për të kundërshtuar rastin e paraqitur nga Varshava, sipas të cilës raketa ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.
Zyrtari amerikan, i cili u takua gjatë ditës me homologun e tij ukrainas Dmitry Kuleba, tha se Uashingtoni “vazhdon të vlerësojë situatën dhe të ndajë informacione të reja” në lidhje me incidentin me Kievin.
(REL)