Dy shqiptarë sulmohen nga serbët në Mitrovicën Veriore

Prishtinë, 17 nëntor 2022 – Policia e Kosovës ka njoftuar se një nxënës i komunitetit shqiptar është sulmuar të enjten nga disa persona në afërsi të urës së Ibrit në Mitrovicën e Veriut, teksa ai dhe tetë të tjerë po ktheheshin nga Kodra e Minatorëve ku kishin shkuar për shëtitje.

Sipas Policisë, sulmuesit kishin vëzhguar nëntë të rinjtë shqiptarë me një automjet të llojit Renault. Tetë nga këta nxënës kanë arritur të largoheshin në drejtim të urës.

Në kohën kur ka ndodhur sulmi, në atë lokacion është sulmuar edhe një kameraman, punonjës i mediumit nga Prishtina Insajderi.org, i cili sipas Policisë ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar.

Gjatë ditës, mediumi Insajderi.org ka njoftuar se bëhet fjalë për kameramanin Jetmir Muji. Ndërsa sipas Policisë, dyshohet se ai është goditur dhe sulmuar fizikisht “nga personat e dyshuar të cilët dyshohet se mund të kenë qenë personat e njëjtë [të cilët kanë sulmuar fëmijën]”.

Policia ka njoftuar se sipas viktimës, të dyshuarit kishin folur në gjuhën serbe dhe përveç sulmit fizik të ushtruar ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj sulmit duke e dënuar ashpër atë.

“AGK e fton Policinë e Kosovës, që ta hetojë me urgjencë rastin dhe t’i identifikojë personat përgjegjës”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Rikujtojmë se në katër komunat veriore të Kosovës tashmë ka prezencë dukshëm më të vogël të Policisë të Kosovës për shkak se 578 pjesëtarë të komunitetit serb në këtë institucion dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit.

Përveç Policisë, serbët dhanë dorëheqje edhe nga institucione të tjera të Kosovës.

Kjo u bë për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që u kërkon qytetarëve në veri t’i riregjistrojnë veturat që mbajnë ende targa të paligjshme që lëshohen nga Serbia.

(REL)