Shtetet e sapokrijuara, që ende luftojnë për njohje e pranim nga familja ndërkombëtare e kombeve, nuk e kanë luksin të përjetojnë skandale si ai i ditës së mërkurë kur kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dha dorëheqjen 24 orë mbas fillimit të punës.
Është vështirë të gjesh kush e ka fajin në situata të tilla, jo vetëm se këto raporte janë të paverifikueshme pa u ftohur dhe kaluar koha, por edhe sepse ka në përgjithësi shumë demagogji, servilizëm e mungesë profesionalizmi në reagimet nga Beogradi e Prishtina.
Po mesa duket në Kosovë mënyra më e lehtë për të dalë në dritë pozitive pas është të marrësh poza patriotike.
Sikur të mos mjaftonte mungesa e përgjegjësisë nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, edhe reagimet në publik janë më shumë të angazhuar për të përbaltur apo për të mbrojtur figurën e kryeministrit Hashim Thaçi sesa duket se shqetësohen për imazhin e Kosovës dhe mbarëvajtjen e diplomacisë kosovare.
Për një pjesë të opinionit publik në Kosovë je automatikisht hero nëse akuzon kryeministrin e për një pjesë tjetër ky veprim të shpall ngjashmërisht tradhëtar. Kjo nuk ndryshon shumë nga çfarë ndodh në vende të tjera të botës, përveç ndryshimit të thjeshtë që Kosova nuk është në situatën e tyre si dhe ndryshimit tjetër që po mungojnë zërat e arsyeshëm që kërkojnë më shumë përgjegjësi e seriozitet nga shteti i Kosovës dhe më pak ego personale e krenari boshe.
Kryeministri Thaçi mund ta shohë këtë si një rrëshqitje të ish-diplomatit Peci, po përgjegjësia në fund i mbetet atij që e zgjodhi si përfaqësues në Beograd. Peci, nga ana tjetër, mund të mendojë se ka demaskuar Thaçin në publik, në fakt ka vënë në një situatë aspak të bukur jo Thaçin por Kosovën. Thaçi është përsëri kryeministër sot në mëngjez dhe krahasuar me akuzat që i kanë bërë në këto vitet e fundit, kjo nuk është asgjë.
Lulzim Peci e ka arsyetuar dorëheqjen e tij me mungesën e patriotizmit në diplomacinë kosovare. Ndonëse ka disa vite që bashkëjeton pa problem me vizionin e qeverisë Thaçi për politikën e jashtme, i kanë mjaftuar 24 orë në Beograd për të kuptuar se Prishtina zyrtare nuk e dashka më njohjen nga Serbia.
Në deklaratën e tij të dorëheqjes ai ka cituar një kritikë që i paska bërë kryeministri i Kosovës, ku mesa duket të dy zyrtarët janë përplasur për konceptin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas ish-diplomatit kjo realizohet vetëm nëse Serbia e njeh Kosovën, ndërsa Thaçi në bisedën mes tyre nuk paska qenë dakord.
Njerëzit e arsyeshëm besojnë se, ashtu si në çdo vend të botës, diplomatët dhe zyrtarët e lartë të shtetit i kanë të qartësuara paraprakisht pikëpamjet bazë që përfaqësojnë. Sigurisht ka gjithnjë detaje të operacioneve për të cilat duhet rënë dakord, po jo dyshime në vija kaq të trasha.
Ose Peci nuk tregon se përse është ndjerë kaq i fyer sa jo vetëm dha dorëheqjen nga posti por po braktis edhe shërbimin diplomatik (i cili nuk i përket Thaçit por Kosovës), ose ai ka jetuar deri tani në një botë përrallash duke mos lexuar, parë e dëgjuar se çfarë po ndodh në politikën e jashtme të Kosovës.
Të gjitha ato që pretendon ish-diplomati në deklaratën e tij duhej të ishin sheshuar përpara se ai të pranonte detyrën. Po ashtu si kryeministri nuk duhej ta kishte caktuar pa u sqaruar për vizionin e kësaj zyre në Beograd dhe mënyrave konkrete se si do të vihej në jetë ai vizion.
Asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e jashtme të Kosovës në këto 24 orë që të justifikojë dorëheqjen e ambasadorit përveçse nëse ka arsye personale të marrëdhënieve të tij me kryeministrin. Çfarëdo dallimi tjetër në pikëpamje, apo plan veprimi mund të ishte zgjidhur në mënyrë private pa këtë skandal që nuk i bën nder as njërit e as tjetrit.
Lulzim Peci nuk do të ishte i vetmi në Kosovë dhe jashtë saj që nuk është dakord me Marrëveshjen e Brukselit, e cila kërkon normalizimin mes dy shteteve, pa njohjen nga Beogradi. Të paktën një parti politike në Kosovë po e djeg edhe publikisht në mënyrë simbolike këtë marrëveshje. Derisa politika e Kosovës e shoqëria të gjejnë pika ekuilibri në tema si këto, diplomatët do të përpiqen të bëjnë maksimumin me mjetet që kanë. Pra kjo nuk është arsye për të braktisur Shërbimin Diplomatik të Kosovës, ndonëse mund të ketë qenë një arsye e mirë për të mos e pranuar që në fillim postin e kreut të Zyrës së Ndërlidhjes.
Në parim është e ditur që janë udhëheqësit e shteteve ata që përcaktojnë vijën kryesore diplomatike ndërsa diplomatët gjejnë mënyrat për ta zbatuar atë. Një ambasador sigurisht nuk mund të pretendojë të hartojë politikën e jashtme dhe nuk ka asgjë diplomatike në deklaratën e dorëheqjes nga Peci. Ajo mund të jetë deklarata e një patrioti apo e një politikani të ardhshëm, po në të gjitha aspektet e tjera, dëshmon se Peci ishte ndoshta në profesionin e gabuar.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit nuk mund të pretendojë të kontrollojë në mënyrë të plotë çdo takim e bisedë të diplomatëve të tij, në nivel kaq të lartë. Ai duhet të ketë më shumë respekt për gjykimin e tyre se cila është mënyra më e mirë për të arritur synimet e paravendosura. E sidomos nuk duhet t’u shfryjë e t’ua shkelë dinjitetin kur nuk është i kënaqur me ta. Në këtë nivel zyrtar, ka arsye të presim më shumë seriozitet.
Për fat të keq, në të njëjtin nivel me atë të ish-punonjësit të saj, ishte edhe deklarata e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e cila nga mënyra se si është shkruar të bën t’i japësh të drejtë Pecit e jo Thaçit, pavarësisht se autori ka menduar se ka qenë duke mbrojtur kryeministrin. (Nuk guxoj ta mendoj pastaj që vetë kryeministria t’ia ketë hartuar tekstin.)
Pika që është përqeshur e tallur më shumë është ajo që i numëron si një nga “fajet” e arsyet e shkarkimit, faktin që Peci paska folur serbisht gjatë një takimi në Beograd. Përveçse është një zotësi gjithmonë e lëvduar e diplomatit kur flet gjuhën e vendit ku punon, serbishtja është në fund të fundit, një nga gjuhët zyrtare të Kosovës.
Po synimi i vërtetë i kësaj pike është përpjekja e ministrisë për të nënkuptuar tradhëtinë kombëtare apo shitjen te Serbia të ish-diplomatit. Kanë mjaftuar 24 orë që ministria të zbulojë te njeriu që përzgjodhi për këtë detyrë kaq të rëndësishme një mal me dyshime.
Për më tepër, sipas deklaratës, ky diplomat paska bërë gabime edhe në të kaluarën, po që ministria ia paska falur. A është ky një denoncim publik për ish-diplomatin Peci, apo një vetëdenoncim publik i Ministrisë së Jashtme të Kosovës që duke injoruar një aradhë diplomatësh të përgatitur e të përgjegjshëm në dispozicion të saj, ia paska lënë këtë detyrë kaq delikate e historike një personi me “lëshime” në detyrat e postet e mëparshme? Fajet e personave janë të pranueshme por jo ato të institucioneve.
Tani që skandali ndodhi e hapat u bënë në mënyrë të rrufeshme, përplasja në telefona, dorëheqja publike e përbaltja e dyanshme, nuk ka më kthim pas.
Ajo që mbetet është shija e keqe dhe mërzia që Kosova është përsëri në lajme për arsyet e gabuara, si dhe fyerja nga ndjesia që kemi kur dëgjojmë e lexojmë përrallisje të moralshme për përplasje e beteja kryeneçe e inatçore, me ego personale sa një mal e ndjenjë përgjegjësi sa një kokërr gruri.
Është e vërtetë se Kosova duke qenë vend i ri shumë aspekte të politikës dhe qeverisjes është duke i mësuar në punë e sipër. Më e rëndësishmja që mbetet tani është të nxirren mësimet e duhura nga kjo ngjarje e disa prej tyre janë këto:
Në pozita të tilla, nevojitet një proces i plotë verifikimi dhe qartësimi. Numri i posteve diplomatike kaq delikate si ky në Beograd numërohen me gishtat e dorës dhe duhen trajtuar me kujdes. Duket si një rregull i thjeshtë që nuk ka nevojë të këshillohet, po pas kësaj ngjarjeje e meriton të përmendet.
Diplomatët janë njerëz me ndërgjegje e pikëpamje të painjorueshme. Askush nuk duhet të detyrohet të zbatojë një politikë që shkon kundër ndërgjegjes së vet. Por ka nivele dhe kontekste për të zgjidhur këtë mëdyshje. Nëse dikush e gjen veten më shumë në debatin shoqëror e politik, le të mos ia zërë vendin diplomatëve të tjerë që preferojnë e janë më të zotë në artin e jashtëzakonshëm të komunikimit privat e të suksesit të përshkallëzuar.
Marrëdhënia mes zyrtarëve të lartë nuk është kurrë e lehtë por është një tjetër shans për të negociiuar pozicionet e argumentuar qendrimet. Nëse Thaçi e Peci nuk negociojnë dot një qendrim kompromisi mes njëri-tjetrit, na bëjnë të dyshojmë në aftësinë e qeverisë dhe diplomacisë kosovare për të negociuar me sukses në situata të tjera.
Nuk do të ketë mendime unanime për politikën me Serbinë se kjo tani ka zbritur në betejat e politikës së brendshme (është një fatkeqësi edhe për vendet më të begata kur ndodh kjo me temat më të rëndësishme të politikës së jashtme). Nga ana tjetër do të ketë gjithnjë mosmarrëveshje, pakënaqësi e përplasje mes zyrtarëve të shtetit. Këto janë pjesë e punës, pjesë e jetës.
Po të paktën, për hir të të gjitha vuajtjeve të këtij populli, njerëzit në këtë shtet të ri, të arritur me mundime, përkundër të gjitha gjasave e ende në mes të rrugës, le të mundohen të lënë mënjanë emocionet e çastit, krenarinë qesharake e teatralizmat e papërtypshme. Kur mendon se ka pasur njerëz që kanë dhënë jetën për të arritur deri këtu, mund të japim edhe ne të gjithë të paktën nga pak ego, për hir të një kauze më të madhe.