Chollet kërkoi nga Kurti shtyrjen e gjobave për targat

Uashington, 19 nëntor 2022 – Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, njoftoi të premten në mbrëmje se ka biseduar me telefonme kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës në pjesën veriore të Kosovës, për shtyrjen e gjobave për targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia, për kthimin e serbëve në institucionet e të Kosovës dhe për përqendrimin në bisedimet për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bisedva për shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë, shtyrja e dënimeve për targat, mbajtjen e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe përqendrimin në bisedimet për normalizimin me Serbinë, si rruga më e mirë për çuarjen përpara të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Cholet në Twitter.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter se me z. Chollet ka biseduar për “domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me njohjen e ndërsjellë në qendër, me fokus në situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”.

“Bisedë e sinqertë dhe e rëndësishme telefonike me nënsekretarin e shtetit Derek Chollet për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me njohjen reciproke në qendër, me fokus në situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”, shkroi Kurti.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale të lëshuara në Serbi me targat legale RKS (Republika e Kosovës), në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.

Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e automjeteve. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin e automjete me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.

Serbia dhe popullata serbe në veri të Kosovës janë duke e kundërshtuar këtë vendim dhe insistojnë të përdorin targa neutrale ndaj statusit të Kosovës (KS), të cilat tashmë janë nxjerrë nga përdorimi.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” dhe situatën aktuale të krijuar për targat e ka konsideruar si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, palët janë ftuar për të diskutuar të dielën pasdite, ose më së voni të hënën në mëngjes.

As Qeveria e Kosovës e as Presidenca e Serbisë nuk kanë konfirmuar ende nëse Kurti dhe Vuçiqi do të shkojnë në takim.

(r.m.)