Përmbytje të mëdha në Shqipëri. Situatë e jashtëzakonshme në Shkodër

Tiranë, 21 nëntor 2022 – Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar një situatë të rëndë në disa zona të Shqipërisë, sidomos në pjesën veriore të vendit.

Në Malësi të Madhe, dy persona rezultojnë ende të humbur, pasi rrjedha e një përroi malor e ka marrë përpara automjetin me të cilin po udhëtonin, në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në afërsi të Bogës. Shërbimet e policisë njoftuan se personat e humbur janë babë e bir, ndërsa vajza e tyre, e cila ishte në të njëjtin automjet ka arritur të dalë dhe të shpëtojë. Forca të shumta të policisë dhe polumbarë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tyre.

Më se 2405 hektarë tokë dhe 590 banesa janë përmbytur në Shkodër gjatë natës së kaluar, për shkak reshjeve të shiut dhe shkarkimeve të hidrocentraleve.

Nga Guri i Zi, Bërdica, Lagja Nr.4 dhe Lagja nr. 1 janë evakuaar 32 familje me 139 anëtarë. Dy familje janë akomoduar në konvikt, ndërsa të tjetrat tek të afërmit  tyre.

Sipas informacioneve të deritashme në ujë janë përmbytur më se 590 banesa e biznese. Në Guri i Zi janë përmbytur 250 banesa, në Bërdicë 210 banesa, prej tyre 40 biznese, në Lagjen Nr.4 janë përmbytur 30 banesa, kurse bë Lagjen nr. 1 janë përmbytur në ujë 100 banesa.

Autoritetet njoftojnë se hidrometri i Liqenit të Shkodrës të hënën në orën 8.00 ishte në kuotën 7.58 m, ndërsa hidrometri i lumit Drin arriti në kuotën 7.60 m, nga 7.50 m që është maksimumi.

Në njësinë administrative Ana e Malit, janë përmbytur 1000 hektarë sipërfaqe bujqësore, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan e Oblikë. Niveli i ujit mbi rrugën e Obotit ka arritur rreth 70cm. Ujësjellësi Oblika 1, është jashtë funksionit si pasojë e përmbytjeve.

Në njësinë administrative Dajç janë përmbytur 120 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq e Pentar. Rruga që i lidh fshatrat Pentar e Ças nuk mund të kalohet me mjete të ulëta.

Lumi Buna ka depërtuar edhe në Urrelat e Shirqit.

Në njësinë administrative të Velipojë, janë përmbytur 165 hektarë tokë bujqësore. Më të goditurat janë fshatrat Baks, Luarz e Ças.

Në njësinë administrative Guri i Zi, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 500 Ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc.

Në njësinë administrative të Bërdicës, sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur vlerësohet në 600 Ha, konkretesht në fshtrat Trush,Berdicë e Siperme.

Por, gjatë natës së kaluar ka pasur përmbytje edhe në qarqet tjera veriore të vendit.

Lumi i Gjoles ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të tëra toke bujqësore në Bubq të Krujës.

Situata është problematike edhe në fshatrat Murqinë dhe Mallkuç, ku  niveli i ujit në fushën bujqësore arrin deri në 50 cm.

Situata është problematike edhe në Lezhë. Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati duke vërshuar zonat e banuara dhe duke përmbytur qindra hektarë tokë. Uji ka arritur deri pranë banesave të 15 familjeve të cilat janë bllokuar. Si pasojë e vërshimeve është bllokuar edhe rruga Gjadër- Zojz.

Për shkak të situatës së rënduar, prej të dielës në mesditë, janë vënë në gjendje gatishmërie edhe forcat e ushtrisë, të cilat po u shkojnë në ndihmë banorëve të zonave të rrezikuara.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili i inspektoi të dielën zonat më të goditura në Lezhë dhe në Shkodër, tha se situata është më problematike në zonën e Nënshkodrës.

“Forcat e armatosura janë në krye të punës, për të ndihmuar qytetarët që të kapërcejnë këtë pikë nevralgjike”, tha Peleshi.

(r.m.)