Bruksel, 21 nëntor 2022 – Në Bruksel përfundoi takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët sot nuk u pajtuan për zgjidhjen”, u tha Borrell gazetarëve.
Ai tha se Vuçiq e pranoi një propozim të BE-së, por atë e refuzoi kryeministri kurti.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por, për fat të keq, kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.
Ndërsa Vuçiq tha se në takim nuk është arritur asnjë marrëveshje, siç u shpreh, “për arsye të paqarta”.
Sipastij, pala serbe ka qenë plotësisht konstruktive, ndërsa për mungesë të marrëveshjes e akuzoi Kurtin.
“Pala serbe ka qenë plotësisht konstruktive. Kemi pranuar tekste të ndyshuara dhjetë here… Dhe as nuk kemi shtuar diçka që nuk ka qenë e mundur”, tha ai.
“Mendoj se gjithëkush në BE dhe në botë tani e ka të qartë se cila pale ka qenë konstruktive, kush e ka dëshiruar ruajtjen e paqes“, u shpreh ai.
Vuçiq bëri të ditur se z. Borrell ka kërkuar që Kosova të mos u shqiptojë gjoba pronarrëve të automjeteve me taga të lëshuara nga Serbia dhe që Serbia të moslëshojë më targa për automjetet e serbëve në Kosovë. Ai tha se Serbia do ta respektojë kërkesën e Borrellit.
“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë [të Bashkimit Evropian], Borrell. Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët e Kosovës] të mos shqiptojnë gjoba dhe që ne mos të lëshojmë targa të reja ‘KM’ – për çka ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha ai.
Vuçiq tha se mungesa e marrëveshjes për targat nuk është, siç u shpreh, ‘ndonjë tragjedi”, por shtoi se periudha në vijim nuk do të jetë e lehtë.
“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha ai.
Vuçiq theksoi se “Serbia do t’i qëndrojë pranë popullit serb në Kosovë. Ai paralajmëroi se sonte ose nesër do t’i drejtohet publikut serb, për t’i treguar, siç tha, “se do të jemi me popullin serb në Kosovë.
Takimi e Kurtit e Vuçiqit, i cili u realizua me ftesë të kryediplomatit evropian, Joseph Borrell, u mbajt as takimeve të tij të veçanta me të dy palët.
Të dielën, Borrell tha se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Tëitter.
Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në pjesën veriore të Kosovës është mjaft e tensionuar, por pa incidente serioze.
(r.m.)