Bruksel, 22 nëntor 2022 – Bashkimi Evropian ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, për të shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, pas propozimit nga ana e SHBA-ve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se do ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të vazhduar dialogun me të dyja palët.
“Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje. Nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”, ka thënë Stano.
Të hënën më 21 nëntor 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u priten në një takim “urgjent” në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim i cili zgjati 8 orë, palët nuk ranë dakord për një marrëveshje.
Zëdhënësi i BE-së i tha Telegrafit se Borrell e Lajçak paraqitën dy propozime kompromisi, që do të kishin de-përshkallëzuar situatën aktuale.
“Fatkeqësisht, ende nuk është arritur marrëveshje për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve”, tha Stano për Telegrafin, duke shtuar se Borrell u bëri thirrje palëve që të përmbahen nga çdo masë që mund të përshkallëzonte situatën në terren dhe kujtoi se ai priste që palët të angazhoheshin në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje.
Të hënën në mbrëmje, kryeministri Albin Kurti njoftoi përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat për 48 orë.
Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.
Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.
(Telegrafi)