Bruksel, 23 nëntor 2022 – Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Presicenda çeke e BE-së njoftoi se tërheqja u bë për arsye politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës.
“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha Presicenda çeke e BE-së.
Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të zhvillohet më 30 nëntor.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar për shkak të vendimit të qeverisë për të nisur fazën dytë të procesit të riregjistrimit të automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, kundërshtojnë regjistrimin e automjeteve me targa të Kosovës, RKS. Ata janë ftuar të rezistojnë kundër vendimi të qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka dëgjuar sugjerimet e SHBA-së dhe BE-së për shtyrjen e procesit të riregjistrimit. Ai e ka pranuar vetëm kërkesën e SHBA-së për të shtyrë për 48 orë fillimin e vendosjes së gjobave për pronarët e automjeteve me targa serbe, për t’i dhënë shans gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.
Të martën e 22 nëntorit, këshilltarët për viza në Këshillin e BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës – pasi presidenca çeke e BE-së kishte propozuar fillimisht datën 1 dhjetor, 2023.
Sipas propozimit të ri të miratuar, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.
Miratimi i këtij propozimi pritej të dilte në rend dite në takimin e sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, për të vazhduar më pas nëpër instanda të tjera.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.
(Sipas REL)