Kurti për takimin e dështuar me Vuçiqin: Borrell iu përshtat interesave të Serbisë

Prishtinë, 23 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, në mbledhjen e qeverisë, ka folur sërish për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Kurti ka shpalosur detaje nga propozimi i BE-së për çështjen e targave. Ai ka thënë se propozimi kishte objektiv pezullimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, por nuk e përmbante ndalimin e lëshimit të këtyre targave ilegale nga Serbia.

“Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë. Ne ishim të pajtimit që të pezullonim fazën e dytë të vendimit për targat, për t’u dhënë hapësirë bisedimeve për propozimin e BE-së, mirëpo atëherë kur Serbia të ndalojë të regjistruari vetura me targa ilegale”, ka thënë Kurti.

Ai ka treguar se ftesa për takim e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell ishte e shoqëruar me një tekst prej katër paragrafësh, si deklaratë që do të publikohej në fund të takimeve.

“Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE-së, të përkrahur nga Gjermania e Franca, për normalizim të marrëdhënieve. Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave, së bashku me granacionet për komunitetin serb që do të diskutoheshin në propozimin e BE-së, kurse në paragrafin e tretë të tekstit bëhej thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimin e BE-së në nivel të lartë, për të arritur një marrëveshje para marsit 2023”, ka thënë a.

Kurti ka thënë se ai e ka mirëpritur këtë propozim të zotit Borrell, por Borrell ndërroi mendje të hënën dhe insistoi për arritjen e një marrëveshjeje që adresonte vetëm pezullimin e gjobave për targat.

“Tashmë ishim deklaruar që propozimi franko-gjerman, që Borrell insistonte ta quanim si propozim të BE-së, paraqet një bazë të mirë për diskutim. Përfaqësuesi i BE-së e ndryshoj premisën e negocimit të ditës së hënë. Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai, filloi të insistojë në një marrëveshje që adreson vetëm pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda dhe nevoja urgjente për propozimin evropian u zhduk nga tavolina, duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së por për targat”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka bërë edhe një përpjekje shtesë për të shtyrë procesin përpara. Sipas tij, Lajçak është angazhuar për  përfshirjen në tekst edhe propozimin e BE-së për afatin e marrëveshjes finale, pork jo është refuzuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Emisari special, Lajçak, ka ardhur te dhoma ku ndodhej delegacioni ynë dhe ka bërë edhe një përpjekje të fundit për një tekst, i cili do ta përfshinte edhe propozimin e BE-së, por më pastaj na njoftoi se presidenti i Serbisë nuk e ka pranuar këtë, kurse Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tashmë ndodhej në konferencë për media”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, e cila  duhet të përfshijë njohjen reciproke.

(r.m.)