Prishtinë, 23 nëntor 2022 – Serbët në komunën e Graçanicës kanë protestuar të mërkurën në mbështetje të pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës.
Graçanica është një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, e cila qeveriset nga Lista Serbe.
Kryetarja e komunës, Lilana Shubariq, deklaroi se serbët në jug mbështesin bashkatdhetarët e tyre në veri dhe vendimin e tyre për braktisjen e institucioneve të Kosovës, duke shtuar se nëse “dhuna politike vazhdon, ata e dinë se çfarë të bëjnë”.
Ajo nuk specifikoi se për çfarë lloj “dhune politike” e kishte fjalën, as çfarë hapash do të ndërmarrin serbët në jug.
Në anën tjetër, shumë protestues me të cilët foli ekipi i Radios Evropa e Lirë, thanë se nuk mund të thonë asgjë, sepse as vetë nuk e dinë pse janë aty.
Këta janë kryesisht punëtorë të institucioneve serbe në Kosovë dhe shpesh e kanë “obligim pune” të protestojnë, për situatën politike ose në mbështetje të Listës Serbe, partisë kryesore politike serbe në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi.
Serbët në veri të Kosovës, ku qarkullojnë kryesisht automjete me targa të paligjshme, të lëshuara nga Serbia, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, me mbështetjen e Beogradit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka premtuar paga të rregullta serbëve që i kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Megjithatë, nëntë përfaqësues të Listës Serbe kanë zënë vendet e deputetëve të dorëhequr në Kuvendin e Kosovës, me arsyetim se po të mos ndodhte kjo serbët do të përfaqësoheshin nga përfaqësues të partive tjera politike që janë lojale ndaj institucioneve të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Lista Serbe i kundërshton këto zgjedhje.
(r.m.)