KVV: Berisha dhe Rama personalizuan fushatën zgjedhore

Denion Ndrenika

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit raportoi se fushata është personalizuar nga kryetarët e qeverisë së qendrës së djathtë Sali Berisha dhe opozitës socialiste Edi Rama. Në raportin e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë vërehet se është anashkaluar trajtimi i programeve prej udhëheqësve partiakë dhe se janë përdorur në largësi tone të ashpra dhe sulme personale. “Fushata është dominuar nga figurat e dy liderëve kryesorë dhe pak u është lënë vend kryetarëve të partive lokale. Është personalizuar dhe është sjellë e gjithë fushata rreth dy liderëve të partive kryesore politike. Ndoshta edhe për këtë arsye edhe tonet në distancë ndaj këtyre dy liderëve janë ashpërsuar. Fushata është drejtuar shpesh në sulme personale dhe jo se çfarë kanë ndërmend të bëjnë për qytetarin”-thanë zyrtarët e koalicionit.

Drejtoresha Ekzekutive, Gerta Meta theksoi ndërkaq, se mosplotësimi me 7 anëtarë nga 4 që ka tani, i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk lehtëson funksionimin dhe pengon vendimmarrjen. “KQZ, gjatë gjithë kësaj periudhe është përpjekur të funksionojë normalisht, por ka shmangur vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Ngërçi në KQZ, pavarësisht përpjekjeve të anëtarëve për të funksionuar, kjo nuk është e mundur. Ka shumë akte që kërkojnë domosdoshmërisht pjesëmarrjen e të patën 5 anëtarëve të KQZ-së”-tha ajo. “Partitë, – shtoi drejtoresha Meta, duhet të nxisin dhe të zgjidhin ngërcin në KQZ duke e plotësuar atë me 7 anëtarë të domosdoshëm, organizimi i drejtë i zgjedhjeve qëndron përtej dhe jashtë lojës politike.

Zonja Meta garantoi se vëzhgimi ka qenë i kujdesshëm për të rekomanduar konkretisht përmirësimin e administrimit zgjedhor. Në rekomandimet e raportit vërehet nevoja për të garantuar të tërë procesin zgjedhor, përfshi votën e lirë, funksionimin e strukturave dhe zbatimi i ligjit: “Garantim për votim të qetë e të sigurt dhe të ruhen standardet. Të tregohen objektivë dhe të nxisin tolerancë ditën e zgjedhjeve, janë reflektues të ligjit”.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë raporton po ashtu se gjatë fushatës zgjedhore nuk kanë munguar as incidentet, duke i kategorizuar si “sulme ndaj zyrave zgjedhore, kërcënime” apo “sulme fizike ndaj kandidatëve të partive të caktuara”. Raporti vëren se raste të përdorimit të administratës në fushatën zgjedhore: “Ajo ç’ka është shqetësuese është se ka pasur shumë pak reagim nga zyrtarët që akuzoheshin nga mediat se po abuzonin me fushatën. Reagimi i institucioneve të drejtësisë ka qenë pothuajse inekzistent”.

Rekomandime

1-“Udhëzimi për kasetat e partive në media është një udhëzim që ndikon në profesionalizmin dhe paanshmërinë e mediave, sidomos të atyre që kanë pamundësi për të ndjekur fushatën”.

2-“Partitë të nxitin dhe të zgjidhin ngërcin në KQZ duke e plotësuar atë me 7 anëtarë të domosdoshëm, organizimi i drejtë i zgjedhjeve qëndron përtej dhe jashtë lojës politike. Garantim për votim të qetë e të sigurt, të ruhen standardet”.

3-“Komisionet zonave dhe të qendrave të votimit, kujtojmë që detyrimi i tyre i vetëm është përballë ligjit dhe jo subjekteve që i kanë zgjedhur, duhet t’u binden vetëm kodit dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi. Të tregohen objektivë dhe të nxisin tolerancë ditën e zgjedhjeve, janë reflektues të ligjit”.