Berlin, 25 nëntor 2022 – Me ftesë të Gjermanisë, vendet anëtare të G7-ës pritet të mblidhen javën e ardhshme në Bukuresht të Rumanisë, për të “iniciuar mbështetje të mëtejshme për furnizim me energji elektrike për Ukrainën”.
Kështu tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila i ka quajtur sulmet ajrore ruse në infrastrukturën ukrainase “krim të patolerueshëm dhe çnjerëzor”.
Ajo tha se presidentit rus, Vladimir Putin, “po i pëlqen të zhysë popullin e Ukrainës në të ftohtë dhe në errësirë me raketat e tij”, por që sipas saj, ai nuk mund ta zmbrapsë dëshirën e ukrainasve për liri, dhe mbështetjen e perëndimit për ta.
Sulmet ajrore ruse goditën Ukrainën, më 23 nëntor, ku shumica e qyteteve mbetën pa energji elektrike, përfshirë Kievin.
Gjithashtu, Rusia ka goditur rrjetin elektrik të Ukrainës dhe pjesë tjera infrastrukturore përmes sulmeve ajrore qe disa javë rresht.
Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.
(REL)