SPAK: Financues i trafikut të kokainës së përzier me pleh organik është një ndërtues

Tiranë, 25 nëntor 2022 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të premten, më 25 nëntor, për finalizimin e një operacioni antidrogë, gjatë tëcilit u arrestuan 10 persona të dyshuar për organizimin e trafikimit të një sasie prej rreth 420 kilogramësh kokainë nga Kolumbia në Shqipëri, me pikëmbërritje përfundimtare në fshatin Frakull i Madh të Fierit.

Prokurori i çështjes, Adnand Xholi, gjatë një komunikimi me mediet, sqaroi se hetimi kishte filluar në fund të muajit korrik 2022 dhe ishte zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet malazeze dhe me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit.

“Referuar informacioneve që disponoheshin lidhur me një ngarkesë të dyshimtë me “pleh-organik” artificial, e cila ishte paketuar dhe ngarkuar në një kontejner që do transportohej me anije nga Kolumbia, përmes Portit të Pireut/Greqi, me destinacion tranzit portin Bar/Malin e Zi, për marrës një shtetas nga Shqipëria,” tha Xholi.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se pritësi i ngarkesës, në fillim të këtij viti, e kishte regjistruar në emrin e tij një biznes me objekt “import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimikë dhe mallrave të ndryshme”, me adresë në Tiranë.

Sasia me “pleh-organik” është ngarkuar në kontejner në muajin maj 2022, dhe me një anije transporti është nisur për në portin e Pireut, në Greqi, ku ka mbërritur në fillim të korrikut. Pas tri ditësh është transportuar, sërish me anije transporti, drejt portit të Barit, në Mal të Zi, ndërsa për në territorin shqiptar është transportuar me kamion, në muajin shtator 2022.

Pasi ngarkesa është zhdoganuar, në koordinim të vazhdueshëm të personave që tni janë nën hetim, është mundësuar zhvendosja e saj në ambiente të ndryshme në Shqipëri, derisa është magazinuar në fshatin Frakull i Madh të Fierit, ku edhe u sekuestrua të enjten, më 24 nëntor.

Xholi sqaroi se krahas veprimeve hetimore, SPAK ka pranuar edhe kërkesën e autoriteteve malazeze të drejtësisë, duke autorizuar kryerjen e veprimit simulues të “dorëzimit të kontrolluar”, me qëllim dokumentimin e aktivitetit dhe identifikimin e grupit të personave që e kanë organizuar dhe financuar blerjen e ngarkesës, ata që e kanë mundësuar përzierjen, blerjen e sasisë së dyshuar të lëndës narkotike të llojit kokainë në Kolumbi, si dhe kanë mundësuar transportimin e saj deri në Shqipëri.

SPAK njoftoi se Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesat për caktimin e masave të sigurimit për 11 persona të hetuar dhe kontrollin e 14 ambjenteve në Tiranë, në Lushnjë e në Fier. Policia i ka ndaluar 10 prej 11 personave të proceduar, por emrat e tyre nuk janë bërë publikë.

Prokurori Xholi pohoi se mes të arrestuarve është edhe financuesi i këtij aktiviteti kriminal.

Në cilësinë e provës janë sekuestruar 24 tonë “pleh artificial”, ku dyshohet se janë përzjerë rreth 430 kilogramë kokainë, që referuar shitjes në tregun me pakicë kap shifrën 40 milionë euro.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe 15 mijë e 910 euro, tri armë zjarri (automatik kallashnikov), tri pistoleta, 108 copë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 18 aparate telefonike celulare, 5 automjete, 2 laptopë dhe 2 armë gjahu.

(Reporter.al)