Presidenti thotë se në asnjë çast nuk duhet harruar rëndësia e votimeve për marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe për punën brenda dhe të ardhmen e Shqipërisë
Denion Ndrenika
Presidenti Bujar Nishani ftoi shtetasit të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës së 23 qershorit. Zoti Nishani tha se vota është akti më i natyrshëm në një shoqëri të lirë dhe veprimi politik, qytetar dhe shoqëror më i rëndësishëm që përbën themelin e demokracisë. Këto janë zgjedhjet e teta të përgjithshme shumëpartiake në Shqipëri që nga 31 marsi 1991. Zoti Nishani drejtoi mesazhin e posaçëm për zgjedhjet: “Kjo ditë dhe ky akt, kërkojnë prej të gjithëve ne, përqendrim, seriozitet, përgjegjshmëri, për gjithçka që ka lidhje me këto votime. Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh lirinë për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen. Të mos votosh është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë. Të mundësojmë sa më tepër të rinj të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë që dita e nesërme të jetë ditë e bukur”.
Presidenti ftoi për proces të lirë, të drejtë dhe të qetë zgjedhor: “Të votojmë duke respektuar në përgjithësi rendin, veçanërisht procedurat e votimit, vetë ne si zgjedhës së pari, pastaj autoritetet e ngarkuara me zbatimin e atyre procedurave. Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit”.
Presidenti thotë se në asnjë çast nuk duhet harruar rëndësia e votimeve për marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe për punën brenda dhe të ardhmen e Shqipërisë: “Të vlerësojmë siç duhet rëndësinë që votimet kanë lidhur me marrëdhëniet tejet të rëndësishme të vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura”. Zoti Nishani theksoi se dallueshmëria partiake bashkon dhe nuk ndan në të mirë të interesave të Shqipërisë: “Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme, votojnë ndryshe sepse mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti apo individ votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon. Partitë dhe ideologjitë, për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një”.
Numri i përgjithshëm i votuesve është mbi 3 milionë (3,271,885). 165 mijë persona votojnë për herë të parë dhe i përkasin moshës nga 18 deri 20 vjeçare. Sipas ligjit, në Shqipëri mosha e votimit është 18-vjeç.