Pekin, 28 nëntor 2022 – Forcat kineze të sigurisë kanë ndaluar të paktën dy njerëz të hënën, në tentim e sipër për të shuar protestat e rralla që po mbahen tash e dy ditë në Kinë, me thirrjet për liri politike dhe dhënie fund të izolimeve për koronavirus.
Agjencia e lajmeve AFP ka qenë dëshmitare kur dy njerëz janë larguar nga një zonë e protestës në Shangai.
Njerëzit kanë protestuar të dielën në qytete të mëdha dhe kampuse universitare, duke nisur valën më të madhe të protestave prej vitit 1989, kur janë shtypur marshet pro-demokracisë.
Një zjarr vdekjeprurës i javës së kaluar në Urumqi, kryeqytetin e rajonit kinez Ksinjiang ka qenë katalizator për rritjen e zemërimit publik.
Shumë persona kanë fajësuar politikat rreth izolimit për koronavirus si arsye për vonesë të përgjigjes në këtë incident.
Mirëpo, ndërkohë protestuesit kanë bërë thirrje edhe për liri më të mëdha politike – disa madje kanë kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit kinez, Xi Jinping, i cili së fundi ka fituar një mandat të tretë si lider i shtetit.
urmat e mëdha kanë nisur të mblidhen të dielën në kryeqytetin kinez, Pekin dhe qytetin tjetër Shangai, ndërsa më vonë policia ka nisur të përleshet me protestuesit.
Transmetuesi britanik BBC, ka thënë se një prej gazetarëve të tij është arrestuar dhe rrahur nga policia, sa ka qenë duke mbuluar protestat në Shangai.
Agjencia e lajmeve AFP, ka thënë se të hënën në Shangai është rritur prezenca e forcave policore.
Megjithatë, autoritetet në këtë qytet nuk kanë treguar sa njerëz janë arrestuar.
Ndërkohë, zyrtarët shtetërorë për censurë kanë pastruar rrjetet sociale kineze nga çfarëdo lajmi për këto marshe.
‘Pika e vlimit’
Kontrolli strikt mbi informacionin në Kinë dhe kufizimet e vazhdueshme, të lidhura me politikën e zero rasteve me koronavirus, e vështirësojnë procesin e konfirmimit të numrit të protestuesve në këtë shtet.
Protesta të tilla janë jashtëzakonisht të rralla, pasi autoritetet veçse kanë shtypur të gjithë zërat opozitarë.
Për protesta të dielën është raportuar edhe në Vuhan – qytetin ku është raportuar rasti i parë i infektimit me koronavirus – si dhe në tri qytete tjera: Guangzhou, Çengdu dhe Hong Kong.
Një grua e re në Pekin ka thënë për AFP-në se protestat i sheh si diçka të mirë.
“Protestat dërgojnë sinjal se njerëzit janë ngopur me kufizimet e ashpra”, ka thënë ajo, duke mos dashur që të identifikohet.
“Mendoj se Qeveria e ka kuptuar mesazhin dhe se do të ndryshojë politikën”, ka thënë ajo, duke shtuar se “censura nuk mund të funksionojë” vazhdimisht.
Gazeta shtetërore, People’s Daily, ka publikuar të hënën një koment, duke paralajmëruar kundër “paralizës” dhe lodhjes nga luftimi i koronavirusit – mirëpo nuk ka bërë thirrje për dhënie fund të politikave për menaxhim të situatës me këtë virus.
“Njerëzit e kanë çuar situatën në pikë të vlimit, sepse nuk ka rrugë të qartë për t’i dhënë fund politikës së zero rasteve me koronavirus”, ka thënë Alfred Wu Muluan, ekspert politik kinez në Universitetin Kombëtar të Singaporit.
“Partia e ka nënvlerësuar zemërimin e njerëzve”.
Kina ka raportuar për 40.052 raste të reja me koronavirus të hënën, shifër rekorde për këtë shtet, mirëpo megjithatë e vogël në krahasim me shifrat që i ka raportuar Perëndimi në pikun e pandemisë.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.
(REL)