Nga Këze Kozeta Zylo
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.
Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
(Nga Fjala e Atit të Pavarësisë Ismail Bej Vlorës, më 28 Nëntor, 1912)
Në mjediset e LiGreci’s Staaten Restaurant në Staten Island, Komuniteti Shqiptaro Amerikan u mblodh për të festuar 110 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Mjediset të rregulluara me simbolet e Flamurit tonë Kombëtar, kuq e zi e bënin dhe më festive këtë ditë të shenjtë Kombëtare. Mbrëmja u organizua në nderim të 110-të Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët grupe grupe me flamuj në dorë vinin të gëzuar për të marrë pjesë në këtë aktivitet të bukur për të festuar së bashku.
Mbrëmjen e hapi z.Naser Nika një patriot dhe aktivist i njohur në komunitet i cili ishte organizuesi kyresor i këtij aktiviteti si Albi’s Party në bashkëpunim me z. Genti Holli.
Z. Nika përshëndeti gjithë të pranishmit dhe iu uori atyre Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, gëzuar 110 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë! Unë i ftova disa lider të Malit të Zi për t’u bashkuar në këtë mbrëmje së bashku dhe për t’i respektuar të zgjedhurit në Ulqin tha midis të tjerash z. Nika.
Më vonë ai ftoi në foltore z. Faik Nika Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Keto vizita vëllazërore përforcojnë lidhjet tona mes jush dhe ne ndihemi si në shtëpinë tonë. Është njerëzore të kemi respekt reciprok dhe ju falënderoj. Faleminderit z. Naser Nika për ftesën i cili pëpiqet t’i bashkojë shqiptarët dhe të kemi lidhje të përbashkëta duke vazhduar me pëpjekjet tona të vazhdueshme tha z. Nika.
Fatmir Gjeka Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi iu uori gjithë pjesëmarrësve gëzuar festat dhe i falënderoj për mikpritjen. Është hera e dytë që vimë brenda dy muajve dhe duhet të realizojmë projekte të mira me vendin, vëllezërit dhe motrat. Vizita jonë është zyrtare dhe jemi takuar me përfaqësus në Staten Island, në NY etj.
Z. Omer Bajraktari Kryetari i Bashkisë së Ulqinit tha midis të tjerash se kemi pasur disa takime me të gjithë përfaqësuesit dhe kemi rënë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë për ta ndihmuar vendin tonë.
Dr. Bari Ceka falënderoi të gjithë pjesëmarësit dhe i uroi nga zemra si i zgjedhur Qytetar Nderi në New York. Falënderoi të gjithë shqiptarët dhe shtetin e Nju Jorkut dhe premtoi se do t’i shërbej gjithë popullit me nder dhe profesionalizëm.
Dr. Bari Ceka është jo vetëm një doktor i njohur dhe shumë i dashur, por dhe dallohet për humanizëm dhe ndihmat që i ka dhënë vendlindjes së tij dhe më gjerë.
Sabri Salaj Nënkryetar i Komunës së Ulqinit shprehu kënaqësinë që ndodhej midis bashkatdhetarëve dhe tha se këto projekte në shërbim të vendit tonë do të jenë afatgjatë dhe ne do t’i mbajmë lidhjet dhe më ngushtë me vëllezërit dhe motrat shqiptare në Diasporë.
Z. David Carr Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut iu uroi gjithë pjesëmarrësve për 110 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe tha se e kam kënaqësi dhe detyrë të bashkëpunojë dhe të suportojë Komunitetin Shqiptar. Ai ishte krenar që Dr. Bari Ceka ishte shpallur qytetar Nderi i Nju Jorkut nën kujdesin e tij dhe gjithë organizuesve që e propozuan.
Znj. Jessica Scarcella-Spanton Senatore e shtetit të Nju Jorkut iu uroi gjithë pjesëmarrësve gëzuar 110 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Komuniteti shqiptar është një komunitet i respektuar dhe është në nderin tim të suportoj shqiptarët kudo ku jetojnë.
110 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë për Komuniteti Shqiptaro Amerikan në Staten Island do të ngelet pëgjithmonë në kujtesën e tyre, pasi ata e festuan së bashku Diasporë dhe vendlindje ashtu siç ka thënë Ismail Vlora në fjalën e tij se: “Le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë”.
Në fund disa personalitete shqiptare dhe amerikane dhanë intervista të shkurtra për TV “Alba Life” të cilat do të transmetohen së shpejti në kanalet televizive.
Pjesëmarrësit u argëtuan nga këngëtarët Taulant Bujaniu, Burak Vehapi dhe Donjeta Morina.
Aktiviteti u filmua nga z.Qemal Zylo themelues dhe producent si dhe Enes Basha bashkëpunëtor për TV “Alba Life”, New York.
28 Nëntor, 2022
Staten Island, New York