Doha (Katar), 29 nëntor 2022 – Ndeshja mes kombëtareve të futbollit të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Katar përfundoi me fitoren e ekipit amerikan.
Futbollisti Christian Pulisic e shënoi golin e fitores për Shtetet e Bashkuara në minutën e 38-të të pjesës së parë, duke i dhënë kështu ekipit amerikan avantazhin e duhur për t’u kualifikuar në fazën eliminatore.
Me rezultatet e deritanishme, ekipi i Shteteve të Bashkuara renditet i dyti në grup, pas Anglisë, duke siguruar në këtë mënyrë kualifikimin, ndërsa Irani renditet i treti. Të shtunën, Shtetet e Bashkuara do të përballen me ekipin kryesues të Grupit A, Holandën.
Ndeshja u prit me interes jo vetëm si ngjarje sportive, por edhe në kontekstin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u pyet për ndeshjen në një konferencë për shtyp në Bukuresht ku ndodhet për një takim të NATO-s.
“Po e pres me padurim ndeshjen SHBA-Iran. Do ta shoh më vonë dhe do të brohoras për Shtetet e Bashkuara. Nuk mendoj se ka ndonjë aspekt të veçantë gjeopolitik. Do të jetë një ndeshje konkurruese. Le ta lëmë atë të flasë vetë”, tha zoti Blinken.
SHBA dhe republika islamike kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga viti 1980 pas Revolucionit Islamik dhe aktualisht situata mes tyre është e tensionuar. Kur ekipet u përballën me njëri-tjetrin në Botërorin e vitit 1998, ndeshja që u fitua nga Irani, u konsiderua si nga më të ngarkuarat politikisht në historinë e Kupave të Botës.
Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë tensionuar vitet e fundit pasi ish-presidenti Donald Trump u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore me Iranin.
(Sipas Zërit të Amerikës)