Prishtinë, 30 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës ishin të motivuara politikisht dhe arsyet e paraqitura në dorëheqje i cilësoi ‘të paqena”.
“Dorëheqja e tyre ka qenë politike. Secila letër e dorëheqjes ka pasur tekstin e njëjtë”, tha ai në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës.
Kurti tha se vazhdimisht bën thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës, por theksoi se nuk mund të bëhet thirrje politike për kthimin e tyre në institucione. Ai tha se serbët e dorëhequr që duan të kthehen në vendet e tyre të punës duhet ta aplikojnë në konkurse.
‘Dorëheqja politike nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim. Duhet të aplikojnë në mënyrë profesionale ata që duan ato vende të punës”, tha Kurti.
Kurti hodhi poshtë kritikat se në veri të Kosovës është krijuar vakuum institucional pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
“Nuk është e vërtetë që në veri të Kosovës nuk ka Polici të Kosovës. Nuk ka ndërtesë të policisë pa Polici të Kosovës. Policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka Polici të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Kurti e mbrojti qasjen e tij ndaj dialogut me Serbinë, duke theksuar se ai e ka mbështetjen e qytetarëve për një qasje të re në dialog. Ai e lavdëroi qeverinë e tij se nuk varet nga Lista Serbe siç vareshin qeveritë e kaluara të partive politike tani në opozitë.
“Qytetarët kanë votuar për qasjen e re në dialog. Kritikat i mirëpres, por, në të njëjtën kohë, duhet ta kuptoni qartësisht drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re. Sikur të ishim sikur qeveritë e kaluara, kur vareshin nga Lista Serbe, ndoshta do të kishte mocion mosbesimi pas këtyre veprimeve që kemi bërë. Por, ja që ka ndodhur ndryshimi i madh dhe kjo nuk po bëhet e mundur. Duhet të gëzohemi që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe, që jemi pavarësuar nga strukturat ilegale që kanë pasur qëllim destruktivitetin e vendit”, theksoi Kurti.
Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, reagoi ndaj fjalimit të Kurtit, duke e vilësuar situatën në veri të vendit si “humnerë politike”
“Në veri nuk është vetëm vakum institucional. Është humnerë politike. Aktualisht, (atje) nuk ka as institucione shtetërore, as proces politik për t’i krijuar ato. Situata në veri të vendit ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit (dita e nisjes së dorëheqjeve) është një kolaps shtetëror”, tha ai.
Hoxhaj e kritikoi Kurtin për mungesë të transparencës lidhur me dialogun me Serbinë. Ai tha se druan se Kosova do të ketë probleme në pjesën veriore të saj nëse qeveria e Kurtit nuk i koordinon veprimet me faktorin ndërkombëtar.
“Dua të dëgjoj çka do të ndodhë me zgjedhjet në veri. Çka do të ndodhë me çështjen e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe). A do të kemi marrëveshje që e përfshin anëtarësimin në OKB dhe njohjen (e Kosovës nga Serbia) apo asnjërën e as tjetrën. Unë e ftoj kryeministrin që të shkojë në Ëashington, në Londër, Berlin, Paris, Bruksel. Nuk është e rrezikshme diplomacia e tavolinave. Më e rrezikshme është ajo e terrenit. Kam një bindje që nëse situata nuk kalohet në veri të vendit, unë kam frikën që nëse në mars 2023 flasim me gjuhën e njëjtë, ne do ta kemi problemin Prishtinë – Mitrovicë”, ka thënë Hoxhaj.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e akuzoi Kurtin për qasjen ndaj dialogut.
“Pushteti na flet se si ka qëndruar qasja në dialog, por po e lexoj një paragraf të asaj që paraqiti Borrelli në dokumentin e marrëveshjes për targa. ‘Të gjitha palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog’. E keni pranuar Asociacionin. Mund të ketë dyshime se sa është i mirë, por e keni pranuar. Në marrëveshjen e parë që keni nënshkruar, zotoheni për implementim. Çfarë ndryshimi është ky? Kjo është e vërteta kundrejt universit paralel që e krijoni ju”, tha Abdixhiku
“Kosova është atdheu ynë, SHBA-ja është aleati ynë dhe NATO është destinacioni ynë i sigurisë. Evropa e ka për obligim ta përfundojë këtë proces. Për ta bërë këtë rrugëtim, duhet ta mbyt popullizimin në fillim”, shtoi ai.
Ai i kërkoi Kurtit që të koordinojë veprimet me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Kosova duhet të kërkojë marrëveshje finale, jo të mesme, jo fillestare. Duhet të flasë vetëm për njohje të ndërsjellë e jo për implikime të tjera që atakojnë edhe interpretimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe lënë hapësirë për ndonjë interpretim të ri”, theksoi ai.
Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e akuzoi Kurtin se me veprimet e tij i dha rast Serbisë të luajë rolin e viktimës.
“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 23 vjet. Për fat të keq edhe veprimet e institucioneve nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri i vendit në vend që të përfillë kërkesën e ndërkombëtarëve ka nisur implementimin e vendimit me faza për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të shpallet si viktimë”, tha Haradinaj.
Në fillim të interpelancës, AAK e propozoi një rezolutë që, ndër të tjera, kërkon që “institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë”.
Kjo rezolutë nuk kaloi në Kuvend. Nga 77 deputetë sa ishin të pranishëm në sallë, 42 votuan kundër, 21 votuan për kurse një abstenoi.
(r.m.)