Abazoviq: Ballkani i Hapur i dha vrull procesit të Berlinit

Bukuresht, 30 nëntor 2022 – Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, deklaroi të mërkurën se vendimi i Podgoricës për anëtarësim në Aleancë ishte i mençur, sepse sipas tij NATO është një politikë sigurimi.

“Ishte një vendim absolutisht i mençur dhe dëshmi për këtë janë ngjarjet e fundit pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Keni vende që ishin neutrale deri para fillimit të luftës dhe që askush nuk mund t’i motivonte për t’u bashkuar me NATO-n, por që tani presin hapjen e rrugës për anëtarësimin në aleancë, siç janë Suedia dhe Finlanda”, tha Abazoviq në Bukuresht, ku po merr pjesë në konferencën e ministrave të punëve të jashtme të NATO-s.

Ai theksoi se Mali i Zi nuk dëshiron asnjë luftë apo konflikt, por dëshiron të jetë një anëtar i besueshëm i një organizate ndërkombëtare që merret edhe me sigurinë.

Abazoviq foli edhe për marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë. Ai tha se ato janë përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit.

“Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Malit të Zi janë në një trajektore rritëse dhe janë përmirësuar ndjeshëm me Qeverinë e 43-të të Malit të Zi, por ato ende janë të rrezikuara nga njerëzit që jetojnë në të kaluarën”, tha ai.

Abazoviq i komentoi edhe protestat e zhvilluara së fundmi në Mal të Zi kundër nismës ‘Ballkani i Hapur’. Ai tha se kjo është një nismë e cila thjesht përshpejton Procesin e Berlinit.

“Unë personalisht mbështes të gjitha format e bashkëpunimit rajonal, çdo gjë që kontribuon në një bashkëpunim më të madh, që jemi bashkë dhe jo në armiqësi, qoftë procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur. Kur bëhet fjalë për procesin e Berlinit, situata është paksa e kundërt. Ballkani i Hapur i dha vrull procesit të Berlinit – ka të bëjë me konkurrencë të shëndetshme”, ka thënë ai.

(r.m.)