Vuçiq ndërron mendje, paralajmëron pjesëmarrjen në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë

Beograd, 2 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se ka ndërruar mendje. Të premten, ai tha se vendimi për të bojkotuar samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë, më 6 dhjetor, mund të ndryshojë.

Vuçiq tha se Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi ia ka mbushur mendjen se është e rëndësishme që Serbia të marrë pjesë në këtë samit.

“Varhelyi më tha se njerëzit në Bashkimin Evropian mendojnë se është e rëndësishme që Serbia të jetë e pranishme në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. Edhe Bërnabiq (Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq) mendon se është e rëndësishme të jemi në Tiranë, prandaj unë jam i gatshëm të bisedojmë dhe ta ndryshojmë vendimin (për të mos marrë pjesë në samit). Do ta shqyrtojmë edhe një here këtë vendim”, tha Vuçiq, gjatë konferencës së përbashkët për medie me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në Beograd.

Vuçiq tha se komisionerit Varhelyi ia ka shpjeguar gjithë situatën lidhur pjesëmarrjen e tij në samitin e Tiranës.

“Varhelyin e njoftova me pikëpamjet tona lidhur me situatën në Kosovë. Dua t’ua bëj të qartë të gjithëve se unë nuk jam as i marrë, as i çmendur dhe as i dehur, sepse unë pi vetëm çaj të kamomiles dhe kokakola zero. I kam treguar për gjithë çfarë ka ndodhur prej fllimit të vitit dhe se si janë shkatërruar të gjitha mundësitë për biseda normale me Prishtinën”, u shpreh ai.

Të enjten, Vuçiq ka thënë se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, në shenjë proteste ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian ndaj emërimit të Nenad Rashiqit ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. ai e ka cilësuar si “të turpshëm” deklaratën e zëdhënësit të BE-së se emërimi i Rashiqit është bërë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me marrëveeshjen e Brukselit.  

Presidenti serb ka folur me gjuhë helmuese për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe për ministrin e sapoemëruar Nenad Rashiq. Ai e ka quajtu Kurtin “fundërrrinë të terrorizmit”, ndërsa ashiqin “fundërrinë të serbëve”.

(r.m.)