Në kuadër të vizitës në Selinë e Shenjtë, Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, gjatë të cilit vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.
Duke u ndalur tek çështja e Kosovës, Presidenti Begaj, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira kanonike mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës, si dhe shprehu besimin për angazhimin e mëtejshëm të Shtetit të Vatikanit në konsolidimin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka kërkuar Papa Françeskut që Vatikani të njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i shtetit në një intervistë për median italiane “Il Tempo”. Ai thotë se roli i Papës është i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor.
Begaj thotë se vëmendja e Papës ndaj Kosovës do të ndihmonte shumë dialogun Beograd-Prishtinë.
Ndërsa përsa i përket të ardhmes europiane të rajonit, Begaj është shprehur se zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk ka pse të përballet me euroskepticizëm.
Pyetje: President, Ju vini nga Rajoni i Ballkanit, i cili perveç se ndodhet përtej Adriatikut, në të shkuaren ka qenë burimi i disa luftrave të përgjakshme. Edhe sot tensionet në Kosovë, Bosnjë apo dhe Mal te Zi janë të larta. Si e mendoni të ardhmen e rajonit Tuaj?
Begaj: Pikërisht eksperienca e jonë ballkanike na mëson që nuk mund të luhet lojë luftrash në rajone me të kaluar dhe të sotme problematike. Për këtë arsye duhet dialog i vazhdueshëm, prosperitet ekonomik, energji pozitive për qytetarët tanë, por mbi të gjitha një projeksion i mirëfilltë Evropian për të ardhmen tonë. Zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk ka pse të përballet me Europskepticizmin e brendshëm të disa forcave politike të BE-së, por duhet të jetë e vetmja rrugë për ta bërë të gjithë Ballkanin pjesë të BE-së larg influencës së fuqive të treta në rritje.
Pyetje: President, Ju e ftuat Papa Françeskun në një vizitë tjetër në Shqipëri. A mos vallë kjo ftesë ka lidhje me dëshirën Tuaj për më shumë vëmendje të Evropës ndaj vendit Tuaj dhe rajonit Tuaj?
Begaj: Në radhë të parë ftesa ime ka të bëjë me inaugurimin e fillimit të punimeve në Santuarin e Nënë Terezës (Shën Terezës) në Tiranë, një vepër shumë e rëndësishme për Shqipërinë, shqiptarët por edhe botën e krishterë. Të mos harrojmë se Nënë Tereza u shenjtërua nga Papa Françesku në 2016, dy vjet pas vizitës së bërë në Tiranë. Jam i bindur se shqiptarët do të donin t’i shprehnin mirënjohjen e thellë Papës për rolin e tij në shenjtërimin e shqiptares së madhe, që i përket pa dyshim të gjithë botës.
Gjithashtu, roli i Papës dhe i Selise së Shenjtë është shumë i rëndësishëm për të shtuar vëmendjen e BE-së dhe të Perëndimit, jo vetëm për të ruajtur paqen në Rajonin e Ballkanit, por edhe për të siguruar të ardhmen Evropiane të Ballkanit. Në këtë pikëvështrim sigurisht i kërkova Papa Françeskut që Vatikani të njohë Kosovën si shtet, pasi kjo njohje do të ndihmonte akoma më shumë përpjekjet për dialog Beograd-Prishtinë që po udhëhiqen sot nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(abcnews.al)