Balliu: “Shembja e ‘Prestige Resort’ – hakmarrje e Ramës ndaj grupit mediatik”

Tiranë, 5 dhjetor 2022 – Hedhja në erë me 70 kg tritol e “Prestige Resort’ ka hasur në reagime të shumta, në të cilat vlerësohet se ky është qartësisht sulm i kryministrit Edi Rama ndaj medias, më saktë ndaj “News24”, t “BalkanWeb”, “Panorama” dhe “Gazeta Shqiptare”.

Si akt të tillë të Ramës e ka vlerësuar edhe shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu.

Ai tha se Edi Rama nuk hodhi në erë ndërtesën, por ligjin dhe shtetin.

“Pamjet ishin të shëmtuara, jo vetëm përnga karakteri moral të shikoje urdhrin e një personi që ka ndenjur aty, ka bërë punë aty dhe një personi që pak kohë më parë thoshte për ‘Prestige Resort’ ‘çfarë mrekullie!’, ‘Sa mirë që vijnë afganët këtu’… E hedh në erë vetëm e vetëm për një urrejtje personale”, tha ai. 

Balliu e cilësoi shembjen e “Prestige Resort’ si hakmarrje të Edi Ramës ndaj transparencës që ka bërë grupi mediatik, duke zbuluar afera korruptive.

“Është tmerrues fakti që në Shqipëri, një individ, pa asnjë normë juridike, mund të vijë dhe të hedhë në erë biznesin, shtëpinë, pronën. E gjithë kjo bëhet për shkak të transparencës që keni bërë ju si media për aferat korruptive, për transparencën që u shërben qytetarëve’, theksoi ai.

Balliu theksoi se Rama është në gjendje të bëjë çmos për të mbrojtur pushtetin dhe interesat e veta.

“Kur i bëhet një media që është më e madhja sot në Shqipëri, imagjononi çfarë i bën një qytetari të thjeshtë?”, tha Balliu.

Ai shprehu bindjen se pronari i “Prestige Resort” do të fitojë në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit, siç ka fituar pronari i “Agon Channel”, të cilin Rama e kishte mbyllur po kështu në mënyrë arbitrare e të paligjshme.

“Normalisht Hysenbelliu do të marrë paratë e tij në gjykatë, siç ka ndodhur me ‘Agon Channel’, por kuptohet që ka një linjë, sulmohet çdo media që bën denoncim dhe zbulon afera”, tha Balliu.

(r.m.)